I jepet lamtumira e fundit ish kryetarit të Vushtrrisë, Hajzer Krasniqi

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 19:55 | Nga

Me nderime të larta të larta, në fshatin e tij në Begaj të Vushtrrisë, është varrosur sot ish kryetari i Komunës së Vushtrrisë dhe ish-kryetari i Degës së LDK-së, Hajzer Krasniqi, i cili ndërroi jetë të dielën.

Në nderim të jetës dhe veprës së Hajzer Krasniqit, sot paradite në ambientet e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë është mbajtur një mbledhje komemorative, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve lokale dhe përfaqësues të kryesisë së LDK-së.

Krasniqi, i cili ishte ndër themeluesit e degës së LDK-së në Vushtrri dhe kryetari i parë i zgjedhur i Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë në periudhën e pasluftës, është përkujtuar nga nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

“Si anëtar i kryesisë së LDK-së, por edhe si drejtues shumëvjeçar i degës në Vushtrri, profesor Hajzeri shquhej jo vetëm për urtësinë dhe maturinë e tij, por edhe për kurajën e jashtëzakonshme në angazhimet dhe marrjen e obligimeve të shtyrjes përpara të proceseve”, tha Veliu.

Veliu tha se “shkuarja e tij në amshim nuk është një humbje vetëm për familjen dhe miqtë, por edhe për LDK-në dhe tërë Kosovën, pasi kontributi i Hajzerit në strukturat e partisë dhe skenën politike në përgjithësi, zë një vend të veçantë dhe meritor”.

Në varrimin e Hajzer Krasniqit, përveç qytetarëve të shumtë, familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve, morën pjesë edhe drejtues të LDK-së, drejtues të institucioneve lokale dhe përfaqësues të pushtetit qendror.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme