Kërkohet heqja e orës policore, Sogojeva paralajmëron padi për humbjet e shkaktuara

Prishtinë | 09 Sht 2021 | 11:38 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit po kërkon që ora policore të hiqet, madje sipas tyre kjo masë e vendosur nga Qeveria është krejt e panevojshme dhe pa ndonjë efekt.

Kryetari i kësaj Ode, Hysen Sogojeva në një prononcim për Ekonomia Online thotë se ora policore si masë nuk është efektive.

Ai tregoi se janë duke planifikuar padi kolektive ndaj humbjeve që kanë pësuar dhe mospagesat ndaj tyre.

“Duke i parë kapacitetet ekonomike të forcës së shtetit, mbyllja totale nuk na kishte konvenuar, sepse kur mbyllemi duhet të jepen mjete. Mbyllja totale është e papranueshme, andaj e vetmja mundësi është vaksinimi”.

“Kërkesat tona kemi me i përfunduar e sidomos për humbjet tona, ndoshta përmes Odës do kemi edhe  padi kolektive për këto humbje që të na paguhen”.

Ai tutje thekson se nuk duhet të merren vendime vetvetiu, por të dakordohen së bashku në mënyrë që edhe respektimi i masave të jetë i drejtë.

Madje Sogojeva shton se duhet që të lejohen të shfrytëzohen edhe hapësirat brenda lokaleve, pasi po dëmtohen bizneset dhe shumë prej janë afër mbylljes.

“Po vet fakti që kemi një paralajmërim që do zgjasin këto masa jemi dakorduar që të takohemi para datës 13 shtator e të marrin vendimet e të gjithëve bashkë, dhe jo vendime të tilla që merren vetvetiu”.

“As ne nuk jemi që të mos respektohen masat, por kërkojmë që klientela të mos punoj me ato kapacitet dhe vetëm në hapësira jashtë, por të punohet edhe brenda në bazë të manualit të paraparë dhe ashtu siç jemi dakorduar. Ka shumë biznese që po mbyllen sepse ka shumë humbje. Poashtu edhe ora policore duhet të hiqet sepse nuk po shohim një lloj efekti”, përfundoi Sogojeva.

Gjatë së mërkurës ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për medie tha se nuk do të ketë lirim të masave edhe pas datës 13 shtator.

Të ngjashme