KMDLNJ: Lëshimi i burgut me qera, marrëveshje e dëmshme, diskriminuese dhe shkatërruese për shërbimin korrektues te Kosovës

Prishtinë | 11 Mar 2022 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

KMDLNJ reagon lidhur me lëshimin e burgut me qera, duke e cilësuar marrëveshje e dëmshme, diskriminuese dhe shkatërruese për shërbimin korrektues te Kosovës.

Hans Hakerup , minister i Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës dje u takua me kryetarin e Kuvendit të Kosovës , Glauk Konjufca për të biseduar për një Merrëveshje , ende të panënshkruar midis Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe Ministrtisë së Drejtësisë  së Mbretërisë së Danimarkës për lëshimin me qira të Qendrës së Paraburgimit në Pasjak të Gjilanit për një afat dhjetëvjeçar ( 10 ) , përkatësisht të 300 dhomave ku do të vendoseshin 300 të burgosur që aktualisht janë në burgjet e Mbretësisë së Danimarkës . KMDLNj –ë e rikujton opinionin se bisedimet për këtë marrëveshje  kanë qenë krejtësisht jotransparente dhe vetëm kur Ministria e Drejtësisë e Mbretërisë së Danimarkës   ka bërë publike  këto bisedime , edhe Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka dalë me një informatë të shkruar që thuaja asgjë nuk sqaron përveç arsyetimit të kësaj Marrëveshjeje , skajshmërisht të dëmshme , diskriminuese dhe , nga aspekti i të drejtave të njeriut edhe raciste se i siguron Buxhetit të Kosovës 200 milionë euro për afatin 10 vjeçar dhe se Kosova është përzgjedhur si vend i besueshëm midis vendeve të rajonit për shkak të kapaciteteve profesionale që i ka dhe besimit që e paska Mbretëria e Danimarkës. Për aq sa ka informata KMDLNj –ë ( bisedimet dhe përmbajtja e tyre ende mbesin krejtësisht të errësuara , sidomos nga pala daneze ) , të burgosurit që do transferohen nga Danimarka nuk janë shtetas danezë por të vendeve tjera e që janë dënuar në Mbretërinë e Danimarkës dhe të cilët , pak para se ta përfundojnë dënimim në Kosovë do të kthehen në Danimarkë për t’u dëbuar në shtetet dhe vendet e origjinës. Arsyetimi i Danimarkës është se nuk kanë kapacitete vendosëse dhe mbajtëse prandaj do ta marrin me qira Qendrën e Paraburgimit në Gjilan e që nuk është fare e vërtetë. Me 200 milionë euro danezët mund të ndërtojnë së paku 7 burgje moderne apo , si zgjidhje e përkohshme kanë mundësi ta adaptojnë ndonjë objekt tjetër që do të shërbente si burg . Apo do të rentonin ndonjë burg në Holandë , Suedi , Norvegji apo Belgjikë ku standardet e trajtimit janë të njëjta dhe nuk do të kishin nevojë të zbatojnë standarde të dyfishta apo diskriminuese e që do të zbatohen në Kosovë për shkak të dallimeve të mëdha në trajtimin e të burgosurve. Disa nga këto shtete për shkak të numrit të vogël të burgosurve i kanë mbyllë burgjet si psh. Suedia dhe Norvegjia e lëre më se kanë mbipopullim. Mbretëria e Danimarkës e ka gjetur mënyrën më të mirë , më të lehtë dhe më të lirë të lirohet nga të burgosurit me të cilët kanë probleme të vazhdueshme duke i transferuar në Kosovë , duke e blerë një pjesë të sovranitetit të shtetit të Kosovës , fillimisht për afatin 10 vjeçar dhe duke i shkaktuar , pa asnjë dyshim shumë probleme në të ardhmën Shërbimit Korrektues të Kosovës i cili , duke u bërë pjesë e kësaj loje të ndyrë politike do të detyrohet të pranojë dhe zbatojë standarde të dyfishta. Në këtë mënyrë do të diskriminohen të burgosurit kosovarë të cilët do të kenë pakrahasimisht kushte më të këqija se të dënuarit për krime të ndryshme që do të importohen nga Danimarka përmes një Marrëveshjeje jotransparente dhe të dyshimtë , diskriminuese , raciste dhe e cila legalizon zbatimin e standardeve të dyfishta. Të burgosurit e trafikuar nga Danimarka do të trajtohen sipas ligjeve të Mbretërisë së Danimarkës , udhëheqja do të jetë nga Danimarka , ky burg do të jetë jashtë kontrollit të Kosovës apo njësi ekstrateritoriale për aq kohë sa është lëshuar sovraniteti me qira dhe , në praktikat e Shërbimeve Korrektuese nuk ka rast të ngjashëm ku zbatohen dy Ligje për Ekzekutim të Sanksioneve Penale , brenda një shteti e që e përjashtojnë njëri – tjetrin për cilësinë e trajtimit ; trajtimi  në Danimarkë është sipas standardeve më të larta ndërkombëtare kurse trajtimi në Kosovë , si kriter  ka standardet minimale. Oficerët korrektues  të Kosovës që do të shërbejnë në këtë Qendër të Paraburgimit e që do të renovohet krejtësisht për të arritur standardet e Danimarkës apo për t’u bërë burg danez në Kosovë , ndonëse është Qendra më e mirë e Paraburgimit në Kosovë , do të shërbejnë si punëtorë krahu apo punëtorë sezonalë nën udhëheqjen e danezëve. Shifra prej 200 milionë euro për afatin 10 vjeçar është tunduese dhe mashtruese për një vend të varfër  por dëmet që do t’i shkaktohen Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe vet Kosovës do të jenë shumë më të mëdha . Po të kishte një planifikim të mirëfilltë dhe përkrahje institucionale , Shërbimi Korrektues i Kosovës për afatin 10 vjeçar do të regjeneronte më shumë të hyra përmes aktivizimit dhe fuqizimit të njësive ekonomike . Është morbide të thuhet se me importimin e krimit nga Danimarka do të investohet në energjinë e ripërtëritshme !! Pastaj , se Kosova paska kapacitete korrektuese për mbajtjen e 300 të dënuar për krime në Danimarkë e që asnjëri nga ta nuk është shtetas i Danimarkës , më së miri tregon përgjigja e Zyrës së Pokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara në Hagë që , përkundër urdhëresës së dërguar Policisë së Kosovës për të kthyer një përgjigje për kapacitetet e Policisë së Kosovës për të  administruar arrestin shtëpiak apo ndonjë masë më të butë për 8 shtetas të Kosovës që mbahen në Paraburgim  në Hagë dhe pasi i kanë marrë garancionet e ofruara nga Policia e Kosovës , këto garancione janë shpërfillur në mënyrën më të turpshme duke e përqeshur kapacitetin profesional të Policisë së Kosovës. E , si Kosova paska kapacitet të menaxhojë me 300 të burgosur , të hurit dhe të konopit e që Danimarka po ia shet Kosovës ndërsa nuk paska kapacitet dhe kushte të menaxhojë me 8 të burgosur , shtetas të Kosovës ?! KMDLNj e thekson këtë fakt vetëm për ta treguar josinqeritetin  e palës daneze se nuk paska gjetur vend më të sigurt dhe më të besueshëm se Kosova ! Duhet të jeshë i marrë , më së paku për të besuar këtë ! Në Shërbimin Korrektues të Kosovës  aktualisht nuk ka kundërshtime për këtë Marrëveshje për faktin se të gjithë kanë frikë nga hakmarrja politike apo largimi nga vendi i punës siç ka ndodhur kohëve të fundit ndonëse pësimet më të mëdha do t’i ketë pikërisht ky Shërbim shkaku se të burgosurit kosovarë , me të drejtë do të kërkojnë të trajtohen sikur “ danezët “ e Burgut të Gjilanit e që nuk ka gjasa të ndodhë. Ministri i Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës ,z. Hans Hakerup është takuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës , z. Glauk Konjufca vetëm për të siguruar se kjo Marrëveshje diskriminuese do të marrë votat e mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës për t’u ratifikuar si Marrëveshje ndërkombëtare shkaku se nuk ka bazë tjetër ligjore për t’u miratuar.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës që do të votojnë pro kësaj Marrëveshjeje do të votojnë një Marrëveshje  të dëmshme , diskriminuese , raciste dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për trajtimin e personave të privuar nga liria përmes legalizimit të zbatimit të standardeve të dyfishta brenda territorit të të njëjtit shtet . Kjo Marrëveshje është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut , me Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale dhe me Rregullat Evropiane të Burgjeve që më së mirë rregullojnë statusin dhe trajtimin e personave të privuar nga liria , duke marrë parasysh specifikat e vendeve përkatëse.

Të ngjashme