Kosovarët po ikin, të huajt ia mësyjnë Kosovës

Prishtinë | 06 Jan 2020 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Isam Nori, 30-vjeçar nga Siria, ka shtatë muaj që është duke qëndruar në Qendrën për Azil, në Magurë të Lipjanit. Bashkë me të, në këtë qendër po qëndron edhe vëllai i tij dhe shumë azilkërkues të tjerë.

Nori tha se qëllimi i tij është të qëndrojë në Kosovë dhe këtu të ndërtojë jetën e tij, pasi të ketë gjetur një vend pune, raporton KTV.

“Kam ardhur nëpërmes Shqipërisë deri këtu nëpër male … Me vëllain tim….Deri më tani jam i kënaqur. Është shtet i mirë dhe shpresoj të qëndroj këtu dhe të filloj një jetë të re. Përndryshe po të doja të largohesha do ta bëja deri më tash”, ka thënë Nori.

Njëjtë si Nori, në Qendrën për Azil në Lipjan, janë të vendosur rreth 106 persona tjerë, kryesisht të ardhur nga vende si: Siria, Iraku, Algjeria, Pakistani dhe Maroku.

E rrugët të cilat shfrytëzohen për të ardhur në Kosovë janë Turqia, Greqia dhe Shqipëria. Sipas udhëheqësit të kësaj qendre, Fitim Zariqi, këtë vit në Kosovë kanë kërkuar mbrojtje shumë familje me fëmijë, ndërkaq autoritetet kosovare janë përkujdesur edhe për arsimimin e tyre.

Zariqi thotë se kostoja ditore për një azilkërkues arrin deri në 19 euro.

Sipas Drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi, në vitin 2019, në Kosovë, kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare 2 mijë persona, duke shënuar kështu numrin më të madh të azilkërkuesve deri tani.

Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, në vitin 2015, në Kosovë kishin kërkuar azil 70 persona, derisa në vitin 2016, kjo shifër shënoi rritje në 306 persona.

Ndërsa në vitin 2017, pati rënie të kërkesave për azil. E në vitin 2018, rreth 600 persona u regjistruan si azilkërkues në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme