Kritikohet projektligji i ri për diasporën, ministri Gashi premton se nuk do të ketë emërime politike

Prishtinë | 13 Dhj 2018 | 13:39 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, gjatë raportimit në komisionin për Punë të Jashtme, diasporë dhe Investime Strategjike, është përgjigjur lidhur me propozimin për përmirësimin e projektligjit për diasporë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka shtruar disa çështje mbi ligjin e përmirësuar për diasporën. Ai ka theksuar çështjen e arsimimit shqip të fëmijëve në diasporë. Ndërsa, ka kërkuar që mësimi plotësues në diasporë të financohet nga buxheti i Kosovës.

Ai ka thënë se për ta bërë dallimin e projektligjit ekzistues për diasporën me atë të riun, duhet të bëhet një analizë nga ministria e diasporës për të sjellë numra të saktë lidhur me mësuesit dhe nxënësit që pastaj t’i përcillet qeverisë për përgatitje të buxhetit 2020.

“Unë e kam një vërejtje, unë e kuptoj që synimi juaj ka qenë dhjetori që të përmbyllet kjo fazë, por duhet të kuptoni edhe punët tona prandaj ftoj në raste tjera për fleksibilitet më të madh të ministrisë sepse ka të bëj me interesin e qytetarëve. Një ligj për diasporën pata thënë se nuk mund ta bëjmë para prillit, e dyta në takimet që kemi marrë pjesë, mendoj se nuk ka funksionuar bashkëpunimi mes ministrisë së diasporës dhe punëve të jashtme”, ka thënë Konjufca.

Ai tha se 200 mijë fëmijë duhet të shkollohen në gjuhën shqipe.

“Sa i përket rregullimit me atashe, kemi mospajtim të pjesëtarëve të diasporës. Ata më shumë e kanë si rezervë, jo që kanë ndonjë kundërshtim parimor e esencial, por më shumë në formë të frikës mos po shndërrohet në emërime politike.

Ministri Gashi, është përgjigjur se nuk ka emërime politike duke thënë se mosfunksionimi i bashkëpunimit ka ndodhur për shkak se nuk kanë qenë të specifikuara detyrat e punës.

“Qendrat kulturore kanë qenë të emëruara prej Qeverisë. Është paguar prej qeverisë, është emëruar prej qeverisë. Po ta bëj një oferte komisionit, kur vie puna për emërimin e atashesë, i bëjë emrat në komision dhe vendosim nëse mendoni se ka lidhje politike”, ka thënë Gashi, raporton Ekonomia Online.

“Nëse kthehemi në fillim, mosfunksioni i bashkëpunimit është produkt se nuk ka pas asnjë gjë të identifikuar për çështjet e detyrës, dmth është marrë në mënyrë vullnetare ose nuk është marrë hiç. Tash do të vendoset nga një trup në komuna që do merren me çështjen e diasporës. Sa i përket arsimit dhe idesë së deputetit lër financimin, nëse e marrim një fakt që banka na raporton se janë diku 700 të hyra, unë nuk kam nevojë me bind kryeministrin, por kuvendin që 1 për qind të këtyre të hyrave ti kthejmë në aktivitete për diasporën, mjaftojnë”, tha ai.

Sa i përket arsimit shqip, ministri ka thënë se pas marrëveshjes me Shqipërinë, ngecja ka qenë tek kjo e fundit.

“Buxheti i ministrisë është më shumë se simbolik, me Shqipërinë kemi marrëveshje që dy qeveritë bashkë të financojnë mësimin shqip. Ngecja është tek Republika e Shqipërisë, njëjtë e kemi edhe me qendrat kulturore. Ngecja te Shqipëria është në kuptim të financimit. Nëse ju na jepni përkrahjen e leximit që të futet si pikë. Gjatë dy leximeve mund ta sjellim në detal numrin e nxënësve. Te ne derë e hapur është për te gjitha këto sugjerime. Duhet të pranojmë se të qenit shtet dhe gjysma e popullit është jashtë, e ka një nevojë të shikohet në aspekt shtetëror çështja e diasporës”, tha ai .

Deputetja, Fitore Pacolli, po ashtu shtroi disa çështje për ministrin, ndërsa ky i fundit u shpreh i revoltuar nga ato që tha ajo.

“Tri probleme thelbësore, e para shihet se ka pas mungesë të planifikimit të ministrisë kur keni planifikuar një ligj të tillë, shihet saktë se ministria nuk ka planifikuar saktë një projektligj, gjithçka është organizuar në mënyrë ad-hok. Tjetra është mosinformimi i drejtë dhe në kohë i mërgatës. Ka pasur mungesë të koordinimit. Në këtë projektligj të ri nuk e pashë që janë marrë parasysh kërkesat e diasporës, është i njëjti. Ne kemi pas dështim të qendrave kulturore në modelin e vjetër, tash po bëjmë model të ri pa bë një analizë të drejtë. Unë kisha propozuar që këto qendra të hiqen nga projektligji, derisa të analizohen se si do të jenë”, ka thënë Pacolli.

Ministri Gashi i reagon deputetes Pacolli.

“Të kisha lutë, një bashkëpunim i mirë me e respektu dhe mos me lypë në çdo mënyrë me gjet probleme që s’ka. Të gjithë po konstatojmë se nuk është mirë dhe po këqyrim qysh me e bë më mirë”, tha Gashi.

Deputetja, Doruntina Maloku, propozoi që një nga kanalet e RTK-së të dedikohet për diasporën pasi sipas saj krijimi i një kanali të ri do të prekte më shumë buxhetin.

Ministri shpjegoi se kjo është në plan për t’u bërë, ndërsa e quajti keqkuptim atë se do të krijohej një kanal i ri televiziv për diasporën.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, adresoi tri çështje të cilat duhet të përmbushen në të ardhmen.

“Tri çështje për të ardhmen. E para, investimi i diasporës në Kosovë, është mirë me pas parasysh se në ligjin aktual është hapë një hapësirë, por duhet një hap për investime strategjike. E dyta ka të bëjë me marrëveshjet dypalëshe, iu kisha lutë që ato që keni nënshkruar t’ia dërgoni komisionit. Dhe, e treta që qysh tash të hartoni draft-ligjin për të parë se cilat janë ato shtete apo lëndë me të cilat ka nevojë të lidhen marrëveshje dypalëshe”, tha Osmani.

Ministri Gashi iu përgjigj deputetes Osmani.

“Sa i përket aspektit ekonomik jemi dakorduar që 25 për qind të zonave të bizneseve të dedikohet për diasporën. Dy shpresoj të kemi mirëkuptim që në investime strategjike të ulen kriteret për investime. Sa i përket atasheut, ekskluzivisht duhet të jetë i diasporës. Në asnjë mënyrë nuk do dërgohet dikush politik nga këtu”, tha Gashi.

Të ngjashme