Kryetari i Supremes, pjesëmarrës në Forumin për Sundim të Ligjit, për të drejtat e fëmijëve

Prishtinë | 22 Mar 2019 | 14:27 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, gjyqtari i Gjykatës Supreme Agim Maliqi dhe gjyqtarja e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (DhPGjS), Manushe Karaqi, po marrin pjesë në Forumin e Gjashtë Vjetor për Sundim të Ligjit, për Evropën Juglindore, i cili po mbahet në Dubrovnik të Kroacisë.  

“Fëmijët dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut”, është tema bosht e këtij Forumi, gjatë të cilit po trajtohen çështje me rëndësi, nga gjyqtarët e rajonit dhe ata nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Të ndarë në grupe punuese, gjyqtarët po japin kontributin e tyre lidhur me trajtimin e temave nga fusha e mbrojtjes së fëmijëve duke u fokusuar në detyrimet e shtetit, detyrimet për ta dëgjuar fëmijën, për mbrojtjen e tyre nga dhuna apo cenimi, garancitë e veçanta për fëmijët në kuadër të sistemit të drejtësisë penale, të drejtat e fëmijëve të prindërve të burgosur etj.

Pjesë e diskutimeve, sipas agjendës, është edhe detyrimi i shtetit për të siguruar pa diskriminim regjistrimin e lindjeve, edukimin dhe kujdesin shëndetësor për fëmijët nën juridiksionin e tij.

Po ashtu, gjyqtarët nga rajoni dhe ata nga Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut, janë fokusuar në çështjet e fëmijëve në lëvizje– që përfshijnë trafikimin, migrimin dhe azilin e tyre, pastaj në çështjet e të drejtës private – ku përfshihen kujdestaria, familjet atipike, zhvendosja dhe rrëmbimi etj.

Në përmbyllje të Forumit, grupet punuese të gjyqtarëve pjesëmarrës, do të shfaqin reflektimet e tyre rreth çështjeve të ngritura dhe praktikës gjyqësore të Strasburgut, duke evidentuar sfidat për Strasburgun dhe gjykatat kombëtare dhe trendet e fundit në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Evropë.

Po ashtu, pjesëmarrësit në forum, pritet të shqyrtojnë programet e ardhshme të trajnimit për anëtarët e gjyqësorit dhe mundësinë për bashkëpunim rajonal.

Të ngjashme