Kundërshtime për kriteret e RTK-së për drejtor të përgjithshëm

Prishtinë | 17 Dhj 2018 | 15:01 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtarët e komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kanë kërkuar përgjigje nga Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, rreth konkursit për drejtor të përgjithshëm, i cili për këtë pozitë, ishte hapur dhe më pas mbyllur sërish.

Ata thonë se Bordi ka shkelur ligjin me kriteret qe ka vënë në atë konkurs, raporton Ekonomia Online.

Por kryetari i Komisionit, Nait Hasani tha se po të kishte qenë në Bord do ta bënte kriterin më shumë se shtatë vjet përvojë menaxheriale në media.

“Bordi vendos në mënyrë unanime, në bazë të kushteve, rrethanave, cilësisë. Nuk jam anëtar i bordit se e kisha rritë”, tha Hasani.

Anëtarja e bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi tha se bordi ka vendosur që me 19 janar të shpallë konkurs për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të radiotelevizionit publik.

“Meqenëse mandati drejtorit të RTK skadon në fund të janarit, bordi i RTK, në mbledhjen e rregullt të bordit me vota unanime, ka vendosë, që më 19 të shpallë konkursin për bord. Konkursi ka qenë i hapur deri më 3 dhjetor, që kanë kandidat, pesë kandidatë për pozitën e drejtorit. Në mbledhje kanë qenë dhjetë anëtarë të bordit”, tha Maliqi.

Deputetët parashtruan edhe pyetje për anëtarët e Bordit të RTK-së.

Valon Ramadani, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, u interesua të dinte se a kanë qenë kriteret e njejta si në vitin 2015 për drejtor.

Ndërsa deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, tha se meqë nuk ka pasur kandidat me kritere të plotësuara çka do të bëhet me kriteret e konkursit.

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj kërkoj që të respektohet Ligji, por mos të nxirren kritere tjera.

“Ajo që kërkohet në këtë proces është me u respektuar ligji. Unë e pash ligjin në fuqi ku thotë të ketë përvojë në menaxhim të mediave, ndërsa në kriterin që e. Keni nxjerrë del përtej kësaj sepse thotë të ketë shtatë vjet përvojë në menaxhim në media transmetuese. Le të respektohet ligji, por mos të nxirren kritere tjera. Naiti, edhe pak është, nëse donë pavarësi duhet edhe më shumë me i ngritë kriteret”, tha Selmanaj, raporton EO.

Deputeti Milaim Zeka nga Nisma Socialdemokrate, pohoi se është përzier roli i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

“Sepse tek ne është përzier komplet roli i drejtorit të përgjithshëm të RTK. Roli i drejtorit të përgjithshëm të RTK është që në vija të trasha me e menaxhu, por jo me menaxhu institucionin prej a deri në zh”, tha Zeka.

“Kisha dashtë me ditë, a i lejohet drejtorit aktual, rikandidimi? Po dua me përçuar një mesazh, Sepse pikërisht për shkak të mentorit është blloku edhe ligji që është në parlament. Qarqet politike nuk kanë dashtë me kaluar ligjin në parlament. Ligji nuk ka kaluar për shkak të Mentorit, por partitë nuk e kanë kaluar sepse nuk donë me ia dhënë edhe një mandat Mentorit”, shtoi Zeka.

Përgjigje për pyetjet pati anëtarja e bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi. Kjo e fundit tha se Bordi ka vendosur unanimisht për këto kritere.

“Ka pas propozime me pas edhe dhjetë vjet, pesë dhe shtatë vjet, dhe është marrë mesatarja shtatë vjet.  Shqipe, nuk është përmbush kriteri i menaxhimit të lartë. Tre kanë dalë që nuk e përmbushin kriterin e menaxhimit.  Ne si bord nuk kemi pas asnjë informata që kemi qenë të përfshirë në marrëveshjen e kuvendit dhe ambasadës britanike.  Rasim, bordi do të mblidhet sot, ka ankesa nga kandidatët, dhe sigurisht do të marrë një vendim e strategji si do ecë tutje. Milaim, me ligjin aktual z. Mentor shala ka akumuluar dy mandate dhe nuk ka të drejtë rikandidimi”, tha Maliqi.

Kritika ndaj konkursit të shpallur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Anëtari i këtij komisioni, Valon Ramadani, tha se në këtë konkurs që shtatë vjet janë bërë shkelje.

“Në këtë konkurs shtatë vjet keni bë shkelje. Ku jeni bazuar kur e keni bë shtatë vjet përvojë menaxheriale, por kam pyetje tjetër ne nuk kemi nevojë ta kapim ligjin qe është ende në shqyrtim. Ne duhet të flasim në bazë të ligjit që kemi tash  Mendoj se ju keni bërë diskriminim dhe keni hë shkelje. Ju i keni ndalu njerëzit që me kandiduar për bord të RTK. Nuk e di a ka pas dikush jashtë RTK që ka kandiduar. Me këtë kriter që e keni pas jua keni ndalu”, tha Ramadani.

Reagim pati nga deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku.

“Po mendoj që është ndërhyrje, dhe po mundem me kuptuar Valonin që nuk e ka votuar ligjin hiç.  Sa i përket ambasadës britaneze mendoj se ka pas paqartësi. Jam kundër që ambasada me i vëzhguar sepse nuk është në rregull me u vëzhguar drejtori”, tha Izamaku.

Pas diskutimit për konkursin e RTK-së, mediat u kërkuan të dilnin jashtë nga kryetari i Komisionit, Nait Hasani.

Kjo u kundërshtua nga anëtarët tjerë, çka bëri që komisioni të mbyllë punimet.

Të ngjashme