Kur kanë të drejtë t’i përdorin armët policët e Kosovës?

Prishtinë | 09 Maj 2022 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Plagosjet nga Policia e Kosovës karshi personave të dyshuar për vepra penale janë shtuar. E përdormi i armëve nga policët e Kosovës është e rregulluar më ligj. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në nenin 27-të, të ligjit përcaktohen momentet kur policëve iu lejohet të përdorin armët.

Revolet të cilat i mbajnë në brez, policia kanë filluar t’i përdorin më shpesh.

Rasti i fundit kur një zyrtar policor shkrep armën e tij karshi një të dyshuari, ishte të dielën në Vranjevc të Prishtinës.

E këto raste kur një polic drejton armën karshi dikujt që dyshohet për një vepër penale janë shumë specifike.

“Zyrtari policor është i autorizuar të posedojë dhe ta bartë armën zyrtare të zjarrit të lejuar nga policia. Zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë armën e zjarrit vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme dhe vetëm deri në atë nivel që kërkohet për ta arritur objektivin ligjor të policisë, kur përdorimi i saj është në proporcion me shkallën e rrezikut dhe seriozitetin e veprës penale në atë situatë, dhe vetëm nëse konsiderohet se me përdorimin e mjeteve më të vogla të forcës nuk do të arrihen objektivat legjitime të policisë”, thonë nga Policia e Kosovës.

Mirëpo, ligjet me të cilat funksionon Policia e Kosovës duket se janë mjaft të qarta për çdo lëvizje që i lejohet apo jo të bëjë një polici.

“Ligji i policisë përcakton shumë mirë se si Policia mund të përdor armët në momente të caktuar atëherë kur mbron jetën e qytetarëve e jetën e tyre në momente të caktuara. Mendoj që në këtë drejtim s’ka shumë për tu thënë pasi ligji e përcakton mjaft mirë kur duhet të përdoret arma. Më heret ishin rregulloret e UNMIKU-t, pastaj është bërë ligji në vitin 2008 për Policinë e Kosovës, ku janë të përfshira të gjitha standardet”, ka thënë Nuredin Ibishi – njohës i çështjeve të sigurisë.

Se këtu nuk ka vend për dyshime rreth përdorimit të tyre nga zyrtarët policorë e thotë edhe Avni Islami.

“Kemi parë ditët e fundit që Policia e Kosovës ka përdorur armët ndaj të dyshuarve dhe në aspektin profesional të Policisë, këta janë të fundit që i nxjerrin revolet nga brezi. Ata e vlersojnë se kur duhet të përdoret forca profesionale. Rastet e fundt që policia i ka përdorur armët në asnjë rast nuk e ka shkelur ligjin dhe forcën fizike e kanë bërë në promocion të forcës së të dyshuarit. Policia e Kosovës është treguar profesionale”, ka vlerësuar Avni Islami- njohës i çështjeve të sigurisë.

Zyra për informim në Policinë e Kosovës nuk ka dhënë statistika se sa është numri i rasteve kur zyrtarët policorë kanë gjuajtur në drejtim të të dyshuarve që nuk iu kanë bindur urdhërave të policëve.

Ani pse ditëve të fundit armët e punës, Policia e Kosovës i përdori edhe jashtë aksioneve policore siç ishte rasti i Badovcit e Graçanicës javës së fundit.

Të ngjashme