Kurti: Alarmante ndotja e ajrit, një pjesë të fajit e ka keqqeverisja që nga paslufta

Prishtinë | 21 Dhj 2018 | 14:41 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nuk ka shumë kohë që Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për ndotjen e ajrit.

Sipas kësaj Rezolute e cila u miratua në shkurt të këtij viti me 73 pota për, kërkohej që ambienti të jetë prioritet i lartë për Qeverinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

E kjo rezolutë e cila përbëhej prej 18 pikash, sipas lëvizjes Vetëvendosje nuk ka gjetur aspak zbatim.

Madje për të treguar rrezikshmërinë nga ndotja e ajrit që e karakterizoi Kosovën këtë vit, Lëvizja Vetëvendosje organizoi një tryezë më temën “Kriza e mjedisit në Kosovë”.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se një pjesë të fajit për menaxhimin e ndotjes së ajrit e ka keqqeverisja në Kosovë që nga paslufta e këndej.

Sipas Kurtit të gjitha qeveritë e Kosovës nga paslufta nuk kanë investuar asgjë për ta reduktuar ndotjen e ajrit.

“Ndotja e ajrit ka marrë përmasa alarmante në Kosovë. Ndotja e ajrit është një simptomë që marrëdhënia jonë me ajrin është futur në një krizë. Shenjat s’kanë qenë kurrë më të qarta se tash dhe për këtë na duhet një përgjigje në nivelin global. Sipas organizatës shëndetësore të popullsisë vlerësohet që 90% nga popullata hasin në vdekje të parakohshme si pasojë e ndotjes së ajrit. Kur në kontinentin tonë ka krizë ajo dihet që shumëfishohet në vendin tonë”, tha Kurti.

Ai tha se në Kosovën e pasluftës nuk ka investime të duhura për të vendosur masa mbrojtëse kundër ndotjes së ajrit.

“Në buxhetin e Republikës së Kosovës po ta analizosh mendon që Kosova nuk ka fare probleme me ndotje të ajrit. Në këtë drejtim edhe matjet për gjendjen e rëndë janë në shkallën fillestare. Banorët e rajoneve të ndotura nuk kanë alternativë tjetër përveç se të bashkëjetojnë me atë ndotje”, tha Kurti.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu tha se as autobusët e rinj nga Komuna e Prishtinës, nuk e kanë zgjedhur çështjen e ndotjes së ambientit, gjegjësisht, çështjen e trafikut në kryeqytet.

“Sot do flasim për ndotjen e ajrit. Do doja ti përmend shifrat e matjes që bëhen nga konsulata e SHBA-së në Prishtinë. Momentalisht ndotja e ajrit është 189 shkallë e që konsiderohet si e pashëndetshme. Ndërsa nga mesnata këtë muaj ka qenë 450 që i bie të jetë në brezin e rrezikshëm. Në vitin që shkoj në Kuvend ka pas një seancë të jashtëzakonshme dhe patëm bërë një rezolutë e cila i ka 18 pika e shumë nga këto pika nuk janë të realizueshme”, tha Aliu.

Ai tha se zgjidhje e kësaj çështje është një plan mobiliteti për trafikun urban.

“Në raport ne e shohim që ndotja vazhdon të jetë e njëjta nga pika e termocentralit Kosova B. Në raport me vlerësimet dihet që ndotjen kryesisht e kemi në sektorin e energjisë dhe amvisërisë. Ju e dini që në komunën e Prishtinës janë sjellë autobusë të rinj por këta nuk mjaftojnë në ndryshimin e ndotjes së ajrit. Nëse kishim pas plan të mobilitetit të linjës urbane atëherë lëvizja me makina do të ishte më e leverdishme”, tha Aliu, raporton EO.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Let’s do it Kosova Luan Hasanaj tha se kryeqyteti ynë tashmë gjendet në një gjendje tragjike sa i përket ndotjes se ajrit.

Sipas Hasanaj kjo problematikë nuk ka gjetur ende një zgjidhje konkrete.

“Tryeza të tilla duhet të organizohen jo vetëm për probleme. Kthehemi tek problemi i ndotjes pasi që është një problematikë që na shqetëson të gjithëve. Duhet të nisemi prej gjërave më të thjeshta ti trajtojmë mandej të shkojmë tek aji që e ka emrin shkak. Ne në Let’s Do It kemi pas një projekt i cili ka qenë një model për mbrojtjen e ambientit. Mungon një bashkëpunim i sinqertë mes shoqërisë civile mes pozitës e opozitës”, tha Hasanaj.

Ai ka bërë apel tek qeveritarët që të ulën dhe ta zgjidhin këtë problematikë.

“Pasi që kryeqyteti është një gjendje kritike sa i përket ndotjes së ajrit dhe ajo çka shoh është sepse në këtë drejtim ka vetëm kritika, por jo ndonjë alternativë që do ta zgjidhte këtë çështje”, tha Hasanaj.

Të ngjashme