Kusari: Ligji për Mediet do të shfuqizonte 8 ligje të tjera, po tentohet censurimi i tyre

Prishtinë | 29 Kor 2018 | 08:16 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisma e deputetëve për një ligj për media është e panevojshëm dhe e pamundur. Me hyrjen në fuqi të tij do të duhet të shfuqizoheshin të paktën tetë ligje dhe një gjë e tillë do të shkaktonte kaos juridik, i tha Ekonomia Online juristja e së drejtës së medies, Flutura Kusari.

Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka iniciuar nismën për hartimin e një Ligji për media me arsyetimin se do të disiplinojë dhe mbrojë mediet dhe gazetarët.

Kusari thotë se ende nuk janë të njohura arsyet se pse deputetët kanë vendosur që pas një dekade të ndryshojnë këtë model dhe të kthejnë rregullimin e medieve me një ligj të veçantë.

“Nisma për Ligjin për Media është e panevojshme për arsye se aspektet apo veprimtaria e mediave tashmë është e rregulluar në Kosovë. Nuk e di ende nuk janë të njohura arsyet se pse deputetët kanë vendosur që pas një dekade të ndryshojnë këtë model dhe të kthejnë rregullimin me një ligj të veçantë”.
“Edhe sikur një gjë e tillë të fillohet të bëhet do të jetë e pamundur për arsye se do të duhet të shfuqizohen të paktën 8 ligje dhe një gjë e tillë do të shkaktonte kaos juridik.”

Kusari ka vënë në pah edhe mundësinë që ligj do të hidhte poshtë të gjithë punën e bërë deri më tani në ndërtimin e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve në trajtimin e rasteve të gazetarëve.

“Për më tepër deri më tani ka kaluar ka pas vështirësi në trajnimin e gjyqtarëve edhe të prokurorëve se si ti trajtojnë rastet e gazetarëve dhe se si t’i zbatojnë këto ligje ekzistuese. Një ligj i ri do të nënkuptonte që e tërë ky ndërtim i kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të hidhej poshtë dhe të fillonte çdo gjë nga e para”. Ajo vlerëson se kjo nismë është më tepër për të censuruar gazetarët duke u thirrur kinse në mbrojtjen e tyre.

“Kjo nismë është më tepër nismë për të censuruar gazetarët duke u thirrur kinse në mbrojtjen e tyre por në fakt deputetët dëshirojnë të kontrollojnë mediet online gjë që është e pamundur dhe se në vend se të ndërmarrin iniciativa të tilla deputetët duhet t`i monitorojnë ligjet ekzistuese dhe duhet të propozojnë ligje që vërtetë janë të nevojshme në shoqëri”.

Gjithashtu Kusari ka bërë thirrje që komisionet parlamentare gjatë shqyrtimit të projektligjit për qasje në dokumente publike të kenë kujdes që me ndryshimet e propozuar të mos dëmtojnë ato, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se duke pas parasysh që këto projektligje janë ndër projektligjet më të rëndësishme dhe më mirë të draftuara dhe se monitorimi i shqyrtimit nga komisionet është i domosdoshëm.

Sipas saj, përkundër faktit që Kosova ka pasur ligje të mira, mungesa e vullnetit politik që të ofrohet qasje në dokumente publike është problemi i zbatimit të tij në praktikë.

“Ligji për qasje në dokumente publike është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse ia mundëson gazetarëve që të kenë qasje në dokumente publike. Ne gjithmonë kemi pas ligje të mira sa i përket qasjes në dokumente publike, ky ligj aktual është deri diku i mirë problemi qëndron te zbatimi dhe pse nuk zbatohet është shumë e thjeshtë, nuk ka vullnet politik që të ofrohet qasje në dokumente publike”.

Kusari i ka vlerësuar si pozitive vendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilat i kanë detyruar institucionet në ofrimin e qasjes në dokumentet publike.
“…deri më tani i kemi pesë aktgjykime nga Gjykata Themelore në Prishtinë e cila i ka detyruar institucionet që të ofrojnë qasje në dokumente publike. Kjo jurispondencë është shumë pasur shumë e vlefshme dhe është ndihmuese dhe inkurajuese që të vazhdojnë t`i sfidojnë qoftë edhe përmes rrugëve gjyqësore institucionet publike sa i përket qasjes në dokumente publike”.

Të ngjashme