Ligji kundër duhanit po hynë në vitin e shtatë të miratimit të tij, por nuk po gjen zbatim si pasojë e dështimeve të mekanizmave në implementimin e këtij ligji.
Shkelësi më i madh vlerësohet të jetë sektori i Gastranomisë prej 80%, prej të cilave prinë klubet e natës me 100% kafiteritë mbi 80% dhe restorantet me 60%.
Shkumbin Spahiu, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), thotë për Ekonomia Online se ligji kundër duhanit është i pazbatueshëm, e siç thotë ai në rënien e zbatimit kanë ndikuar numri i madh i zgjedhjeve nga të cilat politikanët përfitojnë qytetarin ose biznesin.
“Niveli i zbatimit të ligjit për kontrollin e duhanit gjegjësit ndalimi i pirjes së duhanit në ambiente publike është në nivel shumë të ulët thuajse i pazbatueshëm. E gjitha puna ka mbetur në vullnetin e pronareve të lokaleve dhe menaxhereve të institucioneve. Dora e shtetit apo e ligjit nuk vërehet fare për shkak të rënies drastike të punës së institucioneve përgjegjëse për zbatimin e duhanit”.
“Shkelësit më të mëdhenj janë sektori i gastronomisë afër 80% të shkeljes ku prinë klubet e natës 100%, kafiteritë 84.5% restorantet 60%.Ka pasur shumë elemente që kanë ndikuar në rënien e zbatimit të këtij ligji duke filluar nga numri i madh i zgjedhjeve që janë mbajtur. Ne kemi pasur kërkesa drejt autoriteteve zbatuese që gjatë këtyre periudha zgjedhore të mos ndëshkoj shkelësit të ligjit për shkak të interesit të partive politike që të përfitojnë vota dhe kanë menduar që në këtë mënyrë e përfitojnë qytetarin ose ato biznese”, thotë ai.
Spahiu përmendi se në këtë rënie kanë ndikuar edhe Gjykatat të cilat kanë zvarritur lëndët e shkeljeve.
Andaj kërkon që autoritetet t’i procedojnë gjobat pa i dërguar në gjykata, por ta kenë mundësinë e pagesës brenda 30 ditësh.
“Në vitet e para ka pasur punë të jashtëzakonshme të inspektorëve duke dërguar numër të madh të lëndëve në gjykata por trajtimi i tyre dhe numri i madh që kanë pasur e Gjykatat për shkelje tjera ka bërë që ky proces i trajtimit të këtyre shkeljeve të stërgjatët. Kjo ka prodhuar dekurajimin e autoriteteve zbatuese të ligjit. Me ligjin e ri për kundërvajtje u jepet autorizime të reja autoriteteve inspektuese që monitorojnë ligjin kundër duhanit. Gjobat mund të procedohen drejtpërdrejt nga këto autoritete pa i dërguar në gjykata. Brenda 15 ose 30 ditë, nëse pala nuk e paguan atëherë lënda shkon në përmbarues”, thotë Spahiu.
Kurse, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se viteve të fundit ka rënie të zbatimit të ligjit të duhanit për shkak të mospërkrahjes jo adekuate politike.
Ligji ka nevojë për intervenime dhe mbështetje për monitorimin dhe zbatimin e tij.
“Krahasuar me 3 vitet e para ku zbatimi i ligjit ka qenë në zbatim të lartë, vitet e fundit ka rënie të zbatimit si pasojë e dështimit të disa mekanizmave për të bërë implementimin e tij. Një përkrahje jo adekuate politike. Pozitive është se ligji ka sjell disa risi dhe ndryshime në aspektin e shëndetit publik dhe në sjelljen kulturore të popullatës. Megjithatë rezultatet e fundit tregojnë se ka nevojë për intervenime të reja dhe një mbështetje më të fortë dhe organizim të mekanizmave që ligji i bën përgjegjës për monitorimin dhe zbatimin e tij”, u shpreh ai.
Hoti njofton se në vitin 2019 janë bërë mbi 500 inspektime në sektorin e shëndetësisë, respektivisht 22 vizita për monitorimin e kontrollit të duhanit.
Ai potencoi se 1/3 e popullatës e cila nuk konsumon duhan privohen të qëndrojnë në ambiente të tilla, derisa një gjë e tillë shkakton sëmundje të kancerit dhe ato kardiovaskulare.
“Ministria e Shëndetësisë ka inspektoratin shëndetësor i cili është përgjegjës për monitorimin dhe zbatimin e ligjit në shëndetësi. Gjatë vitit të kaluar ka bërë mbi 500 inspektime të natyrave të ndryshme në institucionet shëndetësore. 22 vizita kanë qenë specifike të dedikuara për monitorimin e kontrollit të duhanit”
“Shkeljet në sektorin e gastronomisë janë të theksuara e në veçanti gjatë sezonës së vjeshtës dhe dimrit në hapësirat që me ligj garantohen që të jenë të liruara nga duhanpirja, aty konsumohet duhani. 1/3 e popullatës e cila nuk e konsumon duhanin privohet nga e drejta që të qëndroj në ambientet të tilla. Ky ligj ka sjell përmirësime, krahasuar me hulumtimet para se ligji të hyjë në fuqi kemi një ulje të konsumimit të duhanit. Nga tymosja e duhanit shkaktohen sëmundjet e kancerit dhe kardiovaskulare”, thotë Hoti.
Menaxher i kafeterisë “Journal”, Liridon Beqiri thotë se e kanë të ndarë pjesën e lokalit për duhanpirësit, derisa theksoi se nuk kanë telashe pasi qytetarët janë vetëdijesuar.
“Neve na mbështesin institucionet. Nuk kemi probleme, jemi në rregull. kemi pjesën e ndarë për cigare e cila nuk na pengon. Brenda nuk pihet duhani dhe nuk kemi telashe. Më shumë kemi telashe për muzikë e gjëra të tjera. Qytetarët janë të vetëdijshëm e kupton secili”
Por një gjë të tillë e kundërshtojnë vet qytetarët të cilët janë myshteri të lokaleve të kryeqytetit.
Mirsim Tavërlani thotë se nuk mund të qëndrojnë brenda lokaleve për shkak të konsumimit të madh të duhanit.
“Po na pengon shumë, pasi që ne nuk e konsumojmë duhanin. Mund të jetë e dëmshme për mushkëritë tona, nuk mund të qëndrojmë aty. Është faji të kafeteritë se nuk marrin masën për t’i larguar personat të cilët e shkelin ligjin”, thotë ai.
Qytetarja Lumturie Gashi thotë se i duhet të largohet e mos të qëndrojë shumë në kafiteri për shkak të tymosjes.
“Po shumë po na pengon, është e dëmshme. Nuk qëndrojmë ku pihet duhani, nëse qëndrojmë një kafe edhe largohemi shpejt”, thotë ai.
Ndërsa Gen Berisha deklaron se sikur tymi i Obiliqit edhe duhani nëpër lokale e kanë rëndua gjendjen.
“Edhe Obiliqi edhe duhani na e kanë rëndu shumë tash. Gjysmë ore 20 minuta nuk mund të qëndrojmë më shumë se po konsumojnë shumë duhan”, thotë ai.
Në prill të vitit 2013 Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për kontrollin e duhanit.
Me këtë ligj përcaktohen masat për ndalimin, kufizimin e përdorimit të duhanit të produkteve të duhanit, si dhe gjobat në rast se ligji nuk zbatohet.