Lladrovci reagon pas vdekjes së Fadil Syleviqit – e kishte akuzuar për përfshirje në vrasjen e Dr. Hafir Shalës

Prishtinë | 15 Jan 2021 | 19:56 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar pas vdekjes së ish-policit, Fadil Syleviqit, trupi i të cilit u gjet sot afër liqenit të Badovcit, e për të cilin rast, Reporteri ishte mediumi i parë që raportoi.

Në një postim në Facebook, Lladrovci duke mos dashur të komentojë vdekjen e Syeviqit, ka pyetur se ku është atdhetari Hafir Shala.

“Sërish, sot, mora pyetje nga gazetarët për të komentuar vdekjen e Fadil Syleviqit, çështje të ngritur para disa viteve nga ana ime në Parlament, për ndriçimin e së vërtetës rreth vrasjes së Dr. Hafir Shalës. Një fjalë e urtë thotë, mos e fol asnjë fjalë të keqe për të vdekurin. Jo nuk do ta them asnjë fjalë për të, por, ku është Dr. Hafir Shala? Mua po më rrinë para syve dhe në zemër, dy prindërit e Dr. Hafirit, shpirti i tyre i përvëluar, të cilët shkuan në amshim pa i gjetur eshtrat, as pa e ditur varrin e djalit të tyre”, shkruan Lladrovci.

Kreu i Drenasit, ka refuzuar të flasë me detaje për rastin.

“Nuk do të flas për çështjet që i kam ngritur më herët, por, djali Gentrit Hafir Shala dhe familja e nderuar Shala, nuk ka vend ku të vendos lule për babanë e tij, për mjekun e UÇK-së, atdhetarin e paepur Dr. Hafir Shala. Nuk dua të flas për ata që vdesin, por, sërish dua të pyes institucionet e drejtësisë: Kush duhet ta dijë se ku prehen eshtrat e atdhetarit të madh të kombit, Dr. Hafir Shala. Athua e kanë kryer obligimin e vet institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës”, shprehet ai.

“Për fat të keq, ne i mbyllëm sytë para atyre që bënë krime kundër nesh, besa edhe i falim armiqtë, por, okupatori neve kurrë nuk na fali, na goditi në zemër për aq sa mundi e aq sa diti. Na vrau e besa edhe eshtrat e të dashurve tanë na i humbi”, ka thënë Lladrovci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme