Lumezi: Prokuroria është duke i trajtuar me prioritet lëndët e korrupsionit

Prishtinë | 27 Sht 2016 | 10:32 | Nga

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, priti sot në një takim pune drejtorin e ri të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ku u bisedua për sfidat, që paraqiten në fushën e luftimit dhe parandalimit të korrupsionit.

Fillimisht në këtë takim kryeprokurori Lumezi, duke vlerësuar lartë angazhimin dhe kontributin dhjetëvjeçar të dhënë nga ish drejtori i kësaj Agjencie, Hasan Preteni, e uroi për detyrën e pranuar drejtorin e ri të kësaj Agjencie, Shaip Havolli, duke i ofruar mbështetje të plotë nga ana e tij në luftën kundër korrupsionit, që është prioritet i Prokurorit të Shtetit dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi e njoftoi drejtorin Havolli se prokuroria është duke i trajtuar me prioritet lëndët që ndërlidhen me korrupsionin, sidomos ato të nivelit të lartë dhe gjithmonë iu epet prioritet lëndëve që vijnë nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Kryeprokurori Lumezi po-ashtu kërkoi nga drejtori Havolli që të fokusohet më shumë në parandalimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik.

Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të luftës kundër korrupsionit dhe parandalimit të tij, si dhe fuqizimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.

Të ngjashme