MeD dhe Policia me aktivitete të përbashkëta për pritjen e bashkatdhetarëve

Prishtinë | 04 Kor 2016 | 12:03 | Nga

Shtimi i masave të sigurisë në komunikacion dhe në pikat kufitare, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik dhe sensibilizimit të bashkatdhetarëve të cilët vijnë për pushime në atdhe, ishte temë diskutimi e ministrit të Diasporës, Valon Murati, dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Gjatë takimit po ashtu u bisedua rreth zgjidhjes së uzurpimit të pronave, e cila do të kishte efekt pozitiv për investitorët shqiptarë nga diaspora, të cilët janë përballur me probleme të pronave.

Meqenëse në këtë kohë fillojnë edhe aktivitetet e ndryshme të MeD-së për diasporën, ministri Murati kërkoi nga Policia e Kosovës që, sipas nevojës, të jetë e pranishme aty ku ka organizime të tilla, si dhe në pikat kufitare të shpërndahen broshura informative, të cilat i ka përgatitur MeD, në mënyrë që bashkatdhetarët të informohen për pajisjen me dokumente të gjendjes civile dhe të identifikimit, për pikat kufitare, si dhe mundësitë për investime në letrat me vlerë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, theksoi se policia do ta ofrojë ndihmën aty ku do të ketë nevojë, gjithnjë duke pasur parasysh mbrojtjen e qytetarit. Ai tha se edhe në pikat kufitare e kanë shtuar numrin e personelit, që bashkatdhetarëve t’u krijohen lehtësi në qarkullim dhe të mos presin gjatë me rastin e kalimit kufitar.

Ministri Murati dhe Maxhuni u pajtuan që bashkatdhetarët të njoftohen vazhdimisht për gjendjen në pikat kufitare, me qëllim të evitimit të pritjes në radhë të gjata.

 

Të ngjashme