Ministri Reçica demanton deputetin Syla rreth çështjes së lajmërimit të veteranëve

Prishtinë | 14 Tet 2020 | 21:33 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, përmes një statusi të tij në “FB”, ka demantuar ministrin e AAK-së, Gazmend Syla, lidhur me çështjen e lajmërimit të përfituesve të skemave përfituese, konkretisht kategoritë e dalura nga lufta.

Ministri Reçica ka shkruar se, për hir të opinionit publik, dua të ju informoj se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk ka marrë asnjë vendim të ri për lajmërim të përfituesve të skemave përfituese nga MPMS, si dhe kategorive të dalura nga lufta, por, në kohën e pandemisë, ashtu siç ishte edhe kufizimi i lëvizjeve, janë pezulluar lajmërimet për të gjitha kategoritë bazuar në rekomandimet e IKSHP/MSH.

Ndërsa, me rastin e lirimit të masave nga Qeveria me rekomandim të IKSHP, është dashur që të gjitha kategoritë të lajmërohen, sipas legjislacionit në fuqi, duke respektuar masat kundër Covid 19 dhe me këtë rast kemi njoftuar qytetarët se mund të lajmërohen deri më 31.12.2020, pa pasoja të suspendimit nga skema, ka shkruar Reçica.

Ai po ashtu ka thënë se, për njoftim të deputetit Gazmend Syla por edhe të opinionit publik ne nuk kemi nxjerrë asnjë vendim të ri, por kategoritë e dalura nga lufta dhe të gjitha kategoritë tjera përfituese nga skemat e pensioneve dhe beneficioneve që administrohen nga MPMS duhet të lajmërohen në periudha të caktuara sipas legjislacionit në fuqi. “Kjo çështje është e rregulluar me ligj, madje dua të besoj që deputeti Syla këtë çështje e ka të njohur ngase në kohën e Qeverisë Haradinaj ka drejtuar Zyrën për Çështje të kategorive të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuadër të zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar ministri Reçica.

Në fund të statusit të tij, ministri i MPMS nga radhët e Nismës, Skender Reçica ka thënë se, nëse IKSHP/MSH rekomandon për shtrëngimin e masave kundër Covid 19, atëherë MPMS do të veprojë sipas tyre, ndërsa ne si bartës të dikastereve të institucioneve jemi te obliguar që të zbatojmë legjislacionin në fuqi, por gjithashtu të veprojmë sipas rekomandimeve të MSH, me rastin e pandemisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme