Shala pret hungarezët, bisedohet për investime në ujëra

Prishtinë | 02 Gus 2016 | 17:34 | Nga

Kreu i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka pritur sot një delegacion nga shteti i Hungarisë, ku është diskutuar rreth mbështetjes që ky shtet mund të japë në fushën e ujërave.

Delegacioni i përbërë nga Bálint Tombor, Ádám Szűcs, ekspertë nga Qeveria e Hungarisë; Laszlo Markusz, ambasador i Hungarisë në Kosovë, dhe Gergely Tamás, atashe për ekonomi, kanë biseduar me Ferat Shalën, ushtrues detyre i ministrit të Mjedisit, për bashkëpunimin konkret mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Hungarisë në funksion të formave dhe mundësive të bashkëpunimit në fushën e ujërave.

Konkretisht u bisedua për zgjidhjen e problemit me ujërat e zeza në Batllavë, si dhe në qytetin e Podujevës; rregullimin e shtretërve të lumenjve Drini i Bardhë, Sitnica dhe Morava e Binqës, si dhe intervenimin në pendën e Perlepnicës.

“Ideja është që ne si shtet të thithim një kredi, që i dedikohet kryesisht sektorit të ujerave të zeza. Të gjitha këto projekte janë tashmë të miratuara nga Këshilli Kombëtar për Investime, prandaj ne po presim që sa më shpejt të jemi implementues të këtyre projekteve, dhe ta rregullojmë sferën e ndotjes së ujërave, ta sanojmë çështjen e vërshimeve në shumë zona, ku dëmet janë jo të vogla”, tha Shala,
në një prononcim për Ekonomia Online.

Ndërsa, ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusus, e falënderoi Shalën për pritjen dhe u shpreh se Hungaria është e interesuara që të bashkëpunojë ngushtë me Institucionet e Kosovës, dhe këtë bashkëpunim ta konkretizojë me nisma dhe projekte të interesit të përbashkët.

Shala paralajmëroi se do të vazhdojnë shkëmbimin e informatave bazë dhe rreth projekteve që të realizohen sa më shpejt.

Prej muajit dhjetor do të fillojë shkëmbimi i të gjithë dokumenteve të nevojshme zyrtare reciproke dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Financave dhe dikasterë të tjerë qeveritarë.

Në sektorin e ujërave të zeza, Ministrinë e Mjedisit do ta ndihmojë edhe shteti i Gjermanisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme