Mukwege takohet me Komisionin për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të të Dhunuarve gjatë Luftës

Prishtinë | 11 Nën 2019 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, ka pritur në vizitë Dr. Denis Mukwege – Laureatin e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2018.

 Në këtë takim Dr. Mukwege u shoqërua nga drejtoresha e Fondacionit Mukwege Esther Dingemans, si dhe ekipi i tij dhe përfaqësuese të rrjetit Sema Vasfije Krasniqi dhe përfaqësuese nga Sudani Jugor dhe komuniteti Jazidi nga Iraku. Përfaqësues të Qendrës Kosovare Për Rehabilitimin e Torturës Feride Rushiti, ishin gjithashtu prezent, si organizatë që ftoi dr. Mukwege në Kosovë.

 Komisioni Qeveritar shprehu vlerësime të larta për vizitën e Dr. Mukwege në Kosovë, si një mbështetje që vjen drejtpërdrejt për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe për angazhimin e shtetit të Kosovës në adresimin e këtij mjeti të luftës. Komisioni Qeveritar gjithashtu vlerësoi angazhimin e pakursyer të Dr. Mukwege në ngritjen e vetëdijes dhe në ofrimin e mbështetjes dhe ndihmës së nevojshme për të mbijetuarit në mbarë botën.

 Komisioni e njoftoi Dr. Mukwegen për punën e Komisionit që nga themelimi i tij në vitin 2018 e deri më sot, progresin e arritur deri më tani në trajtimin e rasteve të aplikimeve për njohjen e statusit si dhe sfidat që po e përcjellin këtë proces kaq të ndjeshëm.

 Në takim, u shkëmbyen përvojat e Kosovës në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës, si një nga modelet më të mira në botë që ekzistojnë për rastet e reparacioneve të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Komisioni iu përgjigj pyetjeve që ishin me interes të Dr. Mukwege si dhe i prezantoi procedurat e punës deri në marrjen e vendimit, e gjithashtu ofroi edhe rekomandimet e tij se si kjo përvojë të përcillet edhe vë vendet e tjera që kanë kaluar konflikte të armatosura.

 Në fund, Dr. Mukwege e përgëzoi Komisionin për punën e jashtëzakonshme që po bën me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe se është krenar që Kosova ka arritur të ndërtojë një model kaq të suksesshëm i cili do të shërbejë si model edhe për vendet e tjera që kanë kaluar konfliktin  e armatosur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme