Ndërrimi i shpeshtë i qeverive ka zvarritur çështjen e personave të pagjetur

Prishtinë | 16 Gus 2021 | 08:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ndërrimi i shpeshtë qeverive ka bërë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur të zvarritet, thonë familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësuesi i shoqatës së familjarëve të personave të pagjetur, Bajram Qerkini, në një intervistë për Ekonomia Online, u shpreh pesimist rreth zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, pasi sipas tij puna në gërmimet e fundit si në Kizhevak por edhe në lokacione tjera po cilësohet si një lojë politike.

“Është mëkat shumë i madh me luajt në këtë lokacion i cili është punuar pesë vite dhe është ditur pika se ku gjinden, ka pasur dëshmitarë, janë tregu imazhet satelitore, është një lojë politike kaq e rëndë në të cilën zemrat neve po dojnë me na plas. Unë po them që bollni me politizime, si në Kizhevak ku nuk shohim një sukses të madh e ashtu edhe në lokacione të tjera”, tha Qerkini.

Tutje, Qerkini u shpreh se mos të pret askush që Serbia do t’i hap arkivat ushtarake pa ndonjë presion të madh, dhe si zgjidhje të vetme e sheh ndihmën e ndërkombëtarëve që fati i Kosovës mos të mbetet në duart e Serbisë.

“Arkivat i kanë kërkuar moti, kanë thënë se ne i hapim por tek ne është përgjigja që UÇK nuk ka pasur arkiva, mirëpo mos të pret askush që Serbia t’i hap arkivat pa një presion të madh, mirëpo kush mund të na ndihmojë pa arkivat e Serbisë, e ata janë vetëm ndërkombëtarët si në varreza masive që të na tregojnë përmes imazheve satelitore, dhe procesi të mos ngec nga duart e Serbisë”, theksoi tutje ai.

Lidhur me pritshmërinë e tyre në të ardhmen dhe ndihmën e Qeverisë, ai tha që shumë pak presin për zbardhjen e fatit të personave të pagjeturve, pasi sipas tij është premtuar shumë mirëpo procesi ka ngecje të mëdha.

“Kemi biseduar në Parlament për çështjen e të pagjeturve, është premtuar shumë, kërkesat tona janë kanë të përgjithshme dhe ne duam vetëm të përshpejtohet procesi, kemi folur me secilin dhe ka fjalë të mira sa të duash, por shkoj një kohë e gjatë në formimin e grupit punues, dhe ka stagnuar ky proces”, përfundoi Qerkini.

Fati i të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë duhet të mbetet akoma sfidë për të gjithë duke marrë për bazë edhe angazhimin e paktë të institucioneve dhe ndërrimin e qeverive po vlerëson edhe Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Grajqevci në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se edhe ndërrimi i shpeshtë i pushteteve, por edhe ekspertëve ka bërë që kjo çështje të zvarritet deri më tani.

“Po është zhargitur bukur gjatë çështja e Kizhevakut, do të thotë nuk ka qenë problemi i zyrtarëve të Kosovës, por i zyrtarëve të qeverisë që e kanë neglizhuar këtë proces. Do të thotë procesi për atë numër që është gjetur nga regjioni i Drenicës falënderoj ekipin e mjeko-ligjorëve të pandalshëm në kohën kur ju ka mundësuar kushtet atmosferike është kryer dhe ka përfunduar ky proces, por ka akoma dhe procese tjera”, tha Grajqevci.

“Po ne kemi pasur vështirësi me ndërrimin e qeverive gjithmonë sepse na janë ndërruar ekspertët e komisionit, dhe kësaj here kemi pasur shumë vështirësi pasi një kohë bukur të gjatë kemi qenë edhe pa kryetar të komisionit dhe tash kemi Andin Hoti, një punëtor i cili do punojë mirë, por neglizhencë jemi, dhe institucionet duhet t’i qasen pak më seriozisht kësaj punë sepse kanë kaluar sa vite”, përfundoi ai.

Tutje Grajqevci thotë se arkivat ushtarake serbe duhet hapur të gjitha, pasi ka edhe një presion nga ana e ndërkombëtareve, ani pse Serbia nuk do të pranojë me dëshirë që ti hap arkivat dhe shumë materiale të tjera të asgjësuara.

“Atë e kemi kërkuar që 22 vite, pra që arkivat ushtarake serbe duhet hapur të gjitha sepse çdo gjë e kanë kryer në mënyrë komanduese dhe administrative pushteti serb, njësitë ushtarake policore serbe, dhe unë mendoj se ka një trysni të bashkësisë ndërkombëtare dhe qarqeve tjera ku Serbia nuk do të pranojë me dëshirë që ti hap arkivat, dhe ndoshta dhe shumë materiale kanë asgjësuar ose dhe i kanë fshehur”,theksoi tutje ai, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme