Në javën e Mjedisit hapet Qendra për Edukim Mjedisor në pyllin e arinjve

Prishtinë | 01 Qer 2018 | 13:40 | Nga

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës për Edukim Mjedisor në pyllin e arinjve në Prishtinë.

Para të pranishmëve të shumtë, ambasadorë, zyrtarë shtetëror e figura tjera të njohura ministrja Reshitaj deklaroi se kjo qendër është rezultat i një pune të mirë që është bërë, të cilës i ka paraprirë ndërtimi i strehimorës “Pylli i Arinjve” si një storie suksesi e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fondacionit “Four Paws” dhe akterëve tjerë që kanë përkrahur këtë projekt.

“Qendra për Edukim Mjedisor është një mundësi e mirë për të gjithë vizitorët, në veçanti për brezat e ardhshme të Republikës së Kosovës, për t’u informuar lidhur me rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës” vlerësoi ministrja Reshitaj.

Reshitaj deklaroi se në kuadër të përpjekjeve të ministrisë që ajo drejton, për të ruajtur florën dhe faunën në Kosovë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Biodiversitet si një dokument themelor për mbrojtjen e natyrës i cili përcakton objektivat afatgjata dhe afatmesme për ruajtjen e biodiversitetit.

Në fund ministra Reshitaj deklaroi që do të angazhohet në hapjen e qendrave të tilla edhe në komunat tjera, si formë e qëlluar e promovimit dhe ndërgjegjësimit mjedisor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme