Në kohën kur Serbia po lobon kundër pavarësisë, Kosova mbetet pa ambasador në Washington, Londër, Bruksel e Tokio

Prishtinë | 13 Nën 2020 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Në kohën kur numri i njohjeve të shtetit të Kosovës ka shënuar ngecje, e ku në shumë nisma rajonale tentohet të shmangen simbolet shtetërore, kur Kosova ka pezulluar aplikimet në organizata ndërkombëtare si dhe kur shumë ish-ushtarë të UÇK-së po përballen me Gjykatën Speciale, Kosova ka mbetur pa ambasadorë në qendrat kryesore vendimmarrëse, siç janë Washingtoni, Brukseli, Londra, Tokio etj.

Në këtë periudhë kur Kosova e ka më se të nevojshme prezencën ndërkombëtare, mungesa e ambasadorëve në këto vende lë prapa prezantimin e agjendës dhe politikës shtetërore dhe qasjen proaktive të Kosovës karshi zhvillimeve të shumta politike në rajon dhe më gjerë.

Kosova ka mbetur pa ambasador në Bruksel, pasi që mandati i ambasadorit të deritashëm Berndard Nikaj ka skaduar. Kosova po ashtu ka mbetur pa ambasador edhe në Londër të Anglisë dhe tani për tani është me ushtrues detyre.

Pa ambasador Kosova ka mbetur edhe në Tokio të Japonisë, pasi që ambasadorit të deritashëm Leon Malazogu i ka skaduar mandati. E njëjtë ka ndodhur edhe në Sofje të Bullgarisë ku ambasadori Edon Cana ka kërkuar kthimin e tij pas përfundimit të mandatit.

Rasti i njëjtë është edhe në Tajlandë, ku tashmë Muhamet Brajshori i cili kishte qenë ambasador në këtë shtet, është emëruar zv.ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Time Kadrijaj ka thënë për Telegrafin se MPJ është duke punuar në këtë drejtim.

“Ministria është duke punuar e konsoliduar pas kthimit të shumë ambasadorëve e zyrtarëve tjerë të ambasadave. E kemi pas ministren në takim e prapë do ta ftojmë e ku do të diskutohen edhe këto çështje”, u shpreh Kadrijaj.

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e fatkeqësi për vendin tonë që kemi mos koordinim dhe një keqmenaxhim në mes të institucioneve që sipas ligjit janë vendimmarrës në dërgimin e ambasadorëve.

“Problemi që Kosova e ka në mos-emërimin e Ambasadorëve apo Shefave të Misioneve në vendet kyçe siç janë, Washingtoni, Londra, Brukseli, e kam cekur në takim e përbashkët të Komisionit për Punë të Jashtme me ministren Haradinaj-Stublla që e kemi pasur më datë 13 tetor 2020. Ashtu siç e parasheh Ligji për Shërbim të Jashtëm në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike (1961), përveç përfaqësimit në shtetin pranues dhe në organizata ndërkombëtare shefi i misionit diplomatik jep edhe deklarata dhe mban qëndrime në emër të Republikës së Kosovës. Ky zë sot mungon, kur ne si shtet kemi nevojë më shumë se kurrë në mbrojtjen e të vërtetës, dinjitetin, shtetin dhe mbi të gjitha ata që janë me meritorët që në sot e gëzojmë lirinë”, u shpreh Shoshi-Musliu.

Ajo ka shtuar se në Komisionin ku ajo është anëtare ky problem nuk është diskutuar pasi që bazuar në Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, këtë detyrë i’a mvesh Ministrisë, e cila me pëlqimin e Qeverisë ia dërgon emrin e kandidatit për Ambasador ose Shef Misioni, Komisionit për Punë të Jashtme për vlerësim, dhe pas kësaj Komisioni ia raporton rezultatet Presidentit, Kryeministrit dhe Ministres/it për Punë të Jashtme për veprime të mëtutjeshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme