“Nëse s’zbatohet aktgjykimi rreth Manastirit të Deçanit, ai rrezikon të bëhet pjesë e negociatave”

Prishtinë | 03 Qer 2020 | 20:59 | Nga Ekonomia Online

Gjyljeta Mushkolaj ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese e ka cilësuar të rrezikshëm moszbatimin e aktgjykimit të Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit. Në DESKU të KTV-së, ajo ka thënë se më e rëndësishme sesa marrëveshja e LDK-së me Listën Serbe, është marrëveshja e LDK-së me AAK-në sa i përket zbatimit të aktgjykimit.

Ajo me këtë rast ka treguar se Komuna e Deçanit ishte vonuar në dërgimin e komenteve para se Kushtetuesja të merrte vendim rreth kërkesës së manastirit të Deçanit.

“Manastiri i është drejtuar Kushtetueses në mënyrë individuale. Gjykata Kushtetuese ka pritur që Komuna e Deçanit ta sfidojë kërkesën e manastirit me komentet e veta dhe disa herë i ka shtyrë afatet për t’i marrë komentet. Komentet janë dorëzuar në momentin që gjyqtarët kanë hyrë në këshillim dhe votim. Nuk po them që manastiri kanë të drejtë dhe që janë marrë ata hectare. Por në kuptim procedural, jemi sjellur në mënyrë joserioze, qysh jemi sjellur edhe sot”, ka thënë Mushkolaj.

Ajo ka thënë se shoqëria në tërësi, por edhe mediet, është dashur të kërkojnë më shumë informata nga ana e LDK-së, “meqë e ka kryeministrin sot, se çfarë negociata ka pasur me partitë më të vogla, më të cilat e ka formuar qeverinë”.

Mushkolaj ka thënë se rëndësia e zbatimit të aktgjykimit qëndron edhe tek fakti që ambasadori amerikan ka bërë thirrje për respektimin e të gjitha aktgjykimeve të Kushtetueses.

“Nëse ju kujtohet, kur u shqiptua vendimi i Kushtetueses dhe nëse e analizojmë deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, ai foli në shumës, për nevojën e zbatimit të aktgjykimeve të Kushtetueses”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se fjala ka qenë edhe për një aktgjykim, “që ne si shtet serioz dhe që themi që e zbatojmë Kushtetutshmërinë, që disa vjet me radhë, refuzojmë, respektivisht AAK-ja ta zbatojë një vendim rreth një prone të manastirit të Deçanit”.

Sipas saj, rëndësia e respektimit të këtij aktgjykimi, qëndron edhe tek fakti se tani para Serbisë dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, “Kosova, kur është fjala për Kishën Ortodokse Serbe, nuk do t’i respektojmë dhe Kisha duhet të ketë siguri shtesë. Kështu ne po shkojmë të çarmatosur në negociata, nëse LDK-ja nuk ka ndonjë rezultat special rreth zbatimit të këitj aktgjykimi, para se të ballafaqohet me negociata”.

Mushkolaj ka thënë se shkuarja në negociata me Serbinë, pa zbatimin e këtij aktgjykimi, nënkupton se sovraniteti i shtetit tonë mbi pronat e Kishës është i rrezikshëm dhe ka nevojë për ekstra-territorialitet mbi ato prona.

“Kjo është droja ime më e madhe për hyrjen ne negociata në këtë situatë”.

Të ngjashme