“O babë”, rasti ku nipat akuzohen se vranë djalin e dajës, prokurorja thotë se dëshmitari s’po e thotë të vërtetën

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

Prokurorja Besa Limani pas dëgjimit të dëshmitarit okular Muhamet Reçica tha se ky dëshmitar nuk është kredibil dhe nuk po e thotë të vërtetën.

Në këtë rast, Bali dhe Baki Reçica, po akuzohen se kanë vrarë djalin e dajës së tyre, tani të ndjerin F.K, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Muhamet Reçica, i cili ishte ftuar për dëshmi nga prokuroria, u përball me dëshmitë e dhëna në polici e prokurori dhe tha se qëndron prapa atyre deklarimeve.

Dëshmitari Reçica thotë se kishte qenë duke punuar tek Bali e Baki Reçica në ditën kritike dhe se gjatë punës, betonitë e thyera po i dërgonte në një lokal të familjes Reçica.

Ai tha se tani i ndjeri F.K, i kishte thënë t’i kthejë dhe mos t’i gjuante aty, teksa thekson se nuk kishte njohuri për raportet acaruese për mbi 10 vite në mes të dy familjeve.

Po ashtu, i njëjti thotë se ishte kthyer me kolicë pa i hedhur betonitë dhe se ishte pyetur nga tashmë i akuzuari Baki për arsyen.

Dëshmitari tha se Baki e Bali Reçica ishin nisur në drejtim të tani të ndjerit dhe pas tyre kishte shkuar vetëm kur kishte dëgjuar të birin e Bakisë duke bërtitiur ‘‘O babë’’.

Por, lidhur ne këtë, prokurorja Limani tha se në polici i njëjti kishte thënë se ka shkuar menjëherë pas tyre.

Tutje, dëshmitari shtoi se e kishte parë tani të ndjerin F.K, i cili kishte qenë duke e goditë Balinë me një shufër të hekurit.

‘‘Kresë mundohej me i rënë. Edhe ai (Balia), sa mundte u kërryske duke u mbrojtë me duar’’, tha ai.

Prokurorja ia rikujtoi atij dëshminë e dhënë në polici, i cili kishte thënë se kur ka dalë aty i ka vërejtur, Baliun, Bakiun, tani të ndjerin, djalin e tij dhe djalin e Bakisë, duke u kacafytur.

“F.K kishte një metal në dorë, unë kam ndërhy, i kam kapë Baliun dhe Bakinë i kam shtyrë dhe i kam larguar, posa jemi larguar pak, F.K i ka gjuajtur me gypin e metalit, por nuk e ka goditur askënd’’, ishte deklarata e dëshmitarit në polici.

Për këtë avokati i të akuzuarit Bali Reçica, Skender Musa, tha se kjo kjo nuk është koha kur dëshmitari duhet të ballafaqohet me deklarata.

Kurse, mbrojtës i të akuzuarit Baki Reçica, avokati Fanol Krasniqi shtoi se dëshmitari edhe në prokurori kishte thënë se deklaratën në polici e kishte bërë nën tronditjen nga rasti.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi ia ndaloi prokurores që ta bëjë ballafaqimin e deklaratave.

Ndërsa, prokurorja nuk parashtroi më pyetje për dëshmitarin duke thënë se i njëjti nuk po e thotë të vërtetën lidhur me rastin.

‘‘Ky dëshmitar nuk është kredibil, nuk po e thotë të vërtetën’’, tha ajo.

Mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Ramadan Sylejmani, ia rikujtoi deklaratat e dhëna në polici e prokurori dhe e pyeti nëse iu ka parë të akuzuarve diçka në dorë, por dëshmitari tha se të akuzuarit nuk kanë pasur asgjë në dorë.

I pyetur se sa ka zgjatur e gjithë kjo ngjarje, dëshmitari tha se ai ka qenë aty rreth 25 sekonda dhe se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda 1 minuti, teksa shtoi se tani i akuzuari Bali Reçica ka qenë i mbuluar më gjak.

‘‘Ke krejt i larë me gjak i shkojke edhe e kam kapë për krahu edhe e kam derguar te shtëpia’’, tha ai, ndërkaq shtoi se tani i ndjeri nuk ka pasur gjak dhe se ai ka menduar që i akuzuari Bali do të vdes.

Ndërsa, më parashtrimin e pyetjeve nga trupi gjykues për dëshmitarin Muhamet Reçica do të vazhdohet në seancën e ardhshme.

Në fillim të kësaj seance u dëgjua edhe dëshmitari Sahit Krasniqi, i cili tashmë të ndjerin e ka djalë të vëllait, kurse të akuzuarit djem të motrës.

I njëjti tregoi se e gjithë kjo mosmarrëveshje kishte filluar me blerjen e një prone nga familja Reçica, e cila më pas ishte bërë pengesë për tani të ndjerin dhe familjen e tij, pasi rruga të cilën këta të fundit kalonin zakonisht tashmë ishte pronë e familjes Reçica.

Ai tregoi se në vazhdimësi ishte munduar që t’i pajtonte të dy familjet, duke iu sjellë edhe ndërmjetësues, por sipas tij ky ndërmjetësim kishte zgjatur pak.

Ndërsa, sa i përket për ditën kritike ai tregoi se kishte qenë në punë kur kishte kuptuar se diçka kishte ndodhur.

‘‘Unë pyeta një taksist se çka ka ndodhë, më tha që Rrahmanin, Baliun e Bakinë i morën policia, kurse nuk e pash kërkon në shtëpinë e Rrahmanit, edhe rrugës s’ka pas asnjë person’’, tha ai.

Ai shtoi se pa e kuptuar mirë së çfarë kishte ndodhur, në atë moment i kishin ardhë disa shokë dhe e kishin marrë për kafe.

Avokati Fanol Krasniqi e pyeti se çfarë kafe kishte pirë, e dëshmitari iu përgjigj duke i thënë “helm kam pi’’ atë ditë.

Gjykatësi Alban Ajvazi tërhoqi vërejtjen që të bëhen pyetje relevante për rastin.

Dëshmitari Krasniqi tha se dëshiron të shtojë edhe të vërteta të tjera, pasi tha se ka dëgjuar për deklaratat e dëshmitarëve tjerë rreth të ndjerit.

Në këtë, ndërhyri kryetari i trupit gjykues duke e pyetur nëse është takuar më të dëmtuarit dhe nëse janë marrë vesh se çfarë të deklarojë dhe e pyeti se ku e di ai se çfarë kanë deklaruar dëshmitarët tjerë.

Dëshmitari Sahit Krasniqi tha se takohen me të dëmtuarit pasi janë familjarë dhe se dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë i ka lexuar në medie.

Dëshminë e tij në këtë seancë e dha edhe Visar Kasholli, i cili është vëlla i gruas së tani të ndjerit.

Derisa rrëfeu momentin e marrjes se lajmit për therjen e tani të ndjeri, ai tha se ka marrë motrën dhe njërin fëmije të saj dhe janë nisur për në Emergjencë në Prishtinë, ku edhe pas arritjes atje pas disa minutave iu ishte kumtuar lajmi i vdekjes.

Seanca e radhës në këtë rast u caktua më 16 dhjetor 2021, ku do të ftohen edhe dy dëshmitarë të tjerë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 janar 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica më 7 shtator 2019, në rrugën “Lidhja Prizrenit”, në Lipjan, para shtëpisë së tani të ndjerit F.K dhe shtëpisë së të akuzuarve Reçica, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin F.K, të cilin e kanë pasur djalë të dajës.

Në aktakuzë thuhet se pasi kushëriri i tyre, dëshmitari Muhamet Reçica, derisa ishte duke punuar për të akuzuarit, kishte shkuar për të hedhur karrocën me mbeturina betoni afër shtëpisë së tani të ndjerit F.K, përkatësisht në pronën kontestuese, për të cilën për l0 vjet kishin mosmarrëveshje në mes të dy palëve, tani i ndjeri nuk e kishte lejuar që ta hedh bërllokun me arsyetimin se i pengonte para shtëpisë.

Sipas aktakuzës, pastaj dëshmitari Muhamet ishte kthyer dhe e kishte informuar të akuzuarin Baki, i cili e kishte marrë karrocën me mbeturina dhe sipas marrëveshjes në mes tyre dy të akuzuarit kishin shkuar në vendin e ngjarjes për të hedhur bërllogun, ndërsa pas tyre ishte nisur dëshmitari Muhamet Reçica dhe me të mbërritur, tani i ndjeri iu kishte thënë “kthehuni mbrapa se nuk keni me zbraz kolicë me mbeturina këtu”, ndërsa i akuzuari Baki me vendosmëri i kishte thënë “pse nuk bën, unë bash këtu kam me e zbraz”, dhe e ka lëshuar karrocën nga dora.

Siç thuhet në aktakuzë, tani i ndjeri F.K, kishte reaguar për t’i penguar, e pastaj të akuzuarit Reçica me dashje që ta privojnë nga jeta e kanë goditur fillimisht me kaçavidë dy herë në gjoks, ku tani i ndjeri F.K, në vetëmbrojte ka marrë një shufër metalike nga toka dhe me të e ka goditur të akuzuarin Bali, ndërsa i akuzuari Bali e ka goditur atë me thikë tek zemra, ndërkohë i akuzuari Baki e ka goditur me shufër pas kokës, ku pas lëndimeve të ndjerin e kishin dërguar në QKUK në Prishtinë, ku të njëjtën ditë ka ndërruar jetë.

Për këto veprime, prokuroria po i ngarkon të akuzuarit Reçica se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, pika 1.3 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal, ndërsa të akuzuarin Bali Reçica po e ngarkon edhe me armëmbajtje pa leje, për shkak të thikës që i akuzuari e kishte përdorur në këtë rast.

Të ngjashme