Osmani e Kurti bëjnë homazhe tek varrezat e vëllezërve Gërvalla: Vepra e tyre është model i përkushtimit për lirinë e vendit

Prishtinë | 17 Jan 2021 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Vjosa Osmani së bashku me kandidatin për kryeministër Albin Kurtin, kanë bërë homazhe tek varret e Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, në 39-vjetorin e vrasjes.

Osmani tha se të tre dëshmorët kanë trasuar rrugën e lirisë, ndërkaq krenaria për ta e shembulli i tyre do të përcillet ndër breza.

Tutje, postimi i plotë i u.d presidentes Vjosa Osmanit:

Sot, në 39-vjetorin e vrasjes, nderuam kujtimin e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës.

Me aktivitetin e tyre të përbashkët patriotik për lirinë e vendit, ata jo vetëm që dhanë mesazhin për bashkimin e shqiptarëve, por edhe u sakrifikuan për të.

Pothuajse katër dekada më pas, vepra e tyre kujtohet me respekt dhe është model i përkushtimit për lirinë e vendit, siç ishte shprehur në vitin 2002, me rastin e kthimit të eshtrave të heronjve në Dubovik, presidenti Ibrahim Rugova: “Puna dhe vepra e tyre na e lanë lirinë e cila na duhet si buka dhe fryma e Zotit, e këtë diti ta bëjë Jusuf Gërvalla”.

Ata trasuan rrugën e lirisë, ndërkaq krenaria për ta e shembulli i tyre do të përcillet ndër breza.

Jetoftë përjetë kujtimi për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme