Pacolli takon Lordin Amad, diskuton për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Prishtinë | 10 Kor 2018 | 08:08 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në margjina të samitit të radhës të “Procesit të Berlinit”, i cili po mbahet në Londër ka takuar edhe Përfaqësuesin Special të Kryeministres britanike për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte njëherit Ministër i Shtetit për Komonuelth dhe Kombe të Bashkuara, Lordin Ahmad.

Me këtë rast, kryediplomati kosovar, Pacolli, e ka njoftuar Lordin Ahmad në lidhje me adresimin e çështjes së trajtimit të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, duke e falënderuar këtë të fundit për përkrahjen e madhe dhe konkrete, që Mbretëria e Bashkuar, nëpërmjet Ambasadën britanike në Prishtinë ka dhënë në sensibilizimin e kësaj çështje dhe për realizimin e të drejtave ligjore.

“Dhuna seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është një prej plagëve më të mëdha, që vazhdon të rëndojë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë kosovare edhe sot e kësaj dite. Institucionet dhe shoqëria civile në Kosovë, që nga paslufta janë angazhuar fuqishëm dhe kanë pasur koordinim të afërt në trajtimin e kësaj çështje shumë sensitive për viktimat, por edhe për rrethin e tyre dhe krejt shoqërinë kosovare”, ka thënë ministri i jashtëm Pacolli.

Tutje, numri dy i Qeverisë ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes së mëtutjeshme të shtetit britanik për senzibilimin e opinionit ndërkombëtar lidhur me këto krime brutale të forcave serbe me qëllimin e parandalimit të tyre në të ardhmen kudo në botë si dhe në nxitjen e ballafaqimit me drejtësinë të kryerësve të këtyre krimeve të rënda.

Në këtë drejtim, ai ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e nismave ndërkombëtare për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte dhe luftëra.

Sipas organizatave jo-qeveritare që përfaqësojnë viktimat, besohet se gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimeve seksuale.

Të ngjashme