Përkujtohen 21 dëshmorët e Betejës së Jeshkovës, Gashi thotë se ata ishin luftëtarë të dritës së lirisë

Prizren | 11 Mar 2019 | 13:23 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka organizuar akademi përkujtimore në 20-vjetorin e Betejës së Jeshkovës dhe rënies së 21 dëshmorëve, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) Kujtim Gashi, tha se beteja e Jeshkovës do të mbetet ndër epopetë më madhështore të historisë së lavdishme të kombit.

“Beteja e Jeshkovës dhe rënia heroike e 21 dëshmorëve të kombit, ishte dhe do të mbetet ndër epopetë më madhështore të historisë së lavdishme të kombit tonë, të heroizmit të Atdheut tonë”.

“Prandaj, edhe sot në këtë 20 vjetor të krenarisë së përmotshme të Betejës së Jeshkovës, të rënies së 21 dëshmorëve dhe martirëve, me plot krenari themi se, djemtë dhe vajzat edhe të Brigadës 125 të UÇK-së, pra, 21 dëshmorët e rënë në atë betejë, ishin luftëtarë të dritës së lirisë”.

“Ata vepra e të cilëve, prore do të jetë frymëzim dhe krenari, e përjetësuan  betimin e të parëve e bën realitet idealin e çdo epoke të Lëvizjes sonë Kombëtare, çlirimin e trojeve tona etnike, çlirimin e Kosovës. Në këtë përvjetor të lavdisë së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës të qëndresës dhe luftës heroike të popullit të Kosovës, pra edhe të banorëve të Vërrinit e Jeshkovës”.

Gashi me këtë rast ka përmendur edhe kontributin e shumë brezave për liri dhe pavarësinë e vendit, pa sakrificën e të cilëve, siç tha si nuk do të mund të viheshin themelet e Kosovës.

“Lëvizja për çlirimin e Kosovës, rrënjët e të cilës Lëvizje kombëtare i gjejmë edhe para Epokës së lavdishme të Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Azem Bejtës, Shaban Polluzhës, Marije Shllakut, Gjon  Sereqit, Adem  Demaçit, është djepi në të cilën u lind dhe u ngrit Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

“Lëvizja Kombëtare  Shqiptare, pas vitit 1912, në veçanti ajo e pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ishte pararoje e çlirimit dhe e lirisë së Kosovës. Është kjo histori e lavdit, e krenarisë shqiptare, e cila nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me gjak, me varre, me burgje, me luftë çlirimtare, heroike  i qëndroi sy pa trembur thirrjes së historisë, betimit, para Flamurit kombëtar dhe para Atdheut, për ta çliruar me jetë a vdekje Kosovën”.

“Ishte një histori e ballafaqimit në fushëbetejë, midis projektit historik pushtues, fashist, serbo/jugosllav dhe projektit historik, qytetërues, kombëtar të popullit të Kosovës, për çlirim, pavarësi, themelimin e shtetit të Kosovës për idealet kombëtare”.

Isa Berisha, përfaqësues i shoqatës së veteranëve të UÇK-së në Prizren, tha se kjo betejë ishte goditje e rëndë për UÇK-në, raporton EO.

“Në këtë betejë kanë qenë shumë dëshmor dhe ishte edhe një goditje e rëndë për UÇK-në. Të përkujtosh dhe ta kthesh memorien së të thotë të tërheq trupi sepse ushtria jonë nuk posedonte armatim siç kishte shteti tjetër”.

“Morali dhe qëllimi ishte shpëtimi nga okupatori nga Serbia. E di që keni dhimbje të madh, por duhet të jeni krenar që ne sot gëzojmë lirinë”.

Kryetari i fshatit Jeshkovë, Xheladin Krasniqi, tha se janë zhdukur trupat e të vrarëve dhe nuk kanë asnjë informacion për fatin e tyre.

“Jeshkova ky fshat i vogël i komunës së Prizrenit një fshat mikëpritës ka qenë fole e trimave që luftuan për lirin e atdheut edhe luftën e fundit ku shumë luftëtar Jeshkovën e kishin si vendlindjen e tyre të dytë. Ne kemi edhe një brengë, u zhdukën edhe trupa e tyre dhe s’ka më asnjë informatë për trupat e tyre”.

Të ngjashme