Përkujtohet 41 persona të pagjetur nga Drenasi

Prishtinë | 30 Gus 2019 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Drenasit me rastin e shënimit të 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, ka organizuar Akademi Përkujtimore duke përkujtuar 41 personat e pagjetur të Komunës së Drenasit.

Në Akademinë Përkujtimore merrnin pjesë, nënkryetari i komunës, Nazmi Hasi, drejtor të drejtorive komunale, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Kushtrim Gara, familjar të personave të pagjetur dhe qytetarë.

Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazim Hasi, me këtë rast, para të pranishmëve tha sot jemi mbledhur në këtë Akademi Përkujtimore, për t’i nderuar e kujtuar të gjithë të pagjeturit e Komunës së Drenasit, me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare të të pagjeturve. “Fatkeqësisht, edhe Kosova, në veçanti Komuna e Drenasit sot shënon këtë ditë, por fal personave të pagjetur, dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, viktimave civile, përgjithësisht luftës së lavdishme të UÇK-së, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë dhe njëherë e përgjithmonë, sunduesi serb i shekullit të kaluar, nuk sundon në trojet tona”, ka thënë mes tjerash nënkryetari Hasi.

Të pranishmëve i është drejtuar me një fjalë rasti edhe përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Kushtrim Gara, i cili tha se ky institucion që nga themelimi u ka qëndruar pran familjarëve të të pagjeturve duke qenë pranë tyre dhe duke mos ndalur së punuari për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme