Policia e Kosovës pa sigurim shëndetësor, kërkon përmirësim të kushteve të punës

Prishtinë | 06 Nën 2020 | 18:14 | Nga Ekonomia Online

Me rëndimin e gjendjes së koronavirusit, Policia e Kosovës është përballur me probleme dhe raste më të rënda. Ajo është përballur edhe me reagime të pakontrolluara nga qytetarët e vendit.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli, ka thënë se rastet e sulmeve të qytetarëve ndaj zyrtarëve policorë janë shtuar, ndërsa ka shtuar se kjo paraqitje e qytetarëve po vie si shkak i një revolte.

“Nga revolta për masat që janë caktuar nga Qeveria e Kosovës kundër koronavirusit, po vjen deri te eskalimi i situatës. Kur qytetarët bëjnë kësi lloj sjelljesh, ata pendohen menjëherë në momentin kur dërgohen në stacionin policor”, ka thënë Tasholli për Expres-KTV.

Tasholli e sheh shqetësuese edhe tejkalimin e kompetencave nga zyrtarët policorë, duke thënë se policët nuk kanë të drejtë ta tejkalojnë autorizimin e tij.

“Çdo veprim që është jashtë kompetencave të policit, merren masa ndaj tij tek institucioni ynë. Nëse has ndonjë qytetar në ndonjë shkelje të policit, le të ankohet në rrugët ligjore”, ka thënë ai.

Ai tutje ka përmendur edhe gjendjen e Policisë së Kosovës, ku ka përmendur sigurimin e munguar shëndetësor.

“Kushtet e policit janë të rënda. Kemi kërkuar sigurim shëndetësor dhe jetësor, polici po përballet me kushte të rënda. Të gjithë ministrat e deritanishëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë dhënë premtime se do të bëhet pensionimi i hershëm i policëve dhe do të rriten kushtet mirëpo nuk është ndërmarrë ndonjë masë”, ka theksuar tutje nënkryetari i Sindikatës së Policisë.

“Ne e kemi bërë një projekt se si të duket pensionimi i policit, ku 60% rroga bruto afro 300 euro. Asnjë zyrtar nuk është më i rrezikuar se polici i Kosovës, i kemi 21 policë të rënë në detyrë”, ka deklaruar Tasholli.

Ai ka theksuar se pensionimi i hershëm i policëve dhe sistemi i tyre në pozita të caktuara, do të ndihmonte në lehtësimin e gjendjes.

Të ngjashme