Prekazi i harruar

Prishtinë | 06 Mar 2017 | 08:28 | Nga

Nuk ka ndodhur deri më tani që në ditën e parë të Epopesë së UÇK-së të ketë më pak njerëz sesa të dielën, më 5 mars. Në ora 10:00 të ditës së diel Kompleksi Memorial në Prekaz ishte krejtësisht bosh. Janë harruar edhe kompleksi i kullave dhe i shtëpisë së pamposhtur, të cilat janë dëmtuar dhe janë rrezik të shembën, shkruan gazeta Zeri.

Dita e parë e Epopesë së UÇK-së e ka gjetur Kompleksin Memorial në Prekaz pothuajse pa asnjë vizitor.

Në ora 10:00 Kompleksi Memorial në Prekaz ishte krejtësisht bosh, pa asnjë njeri. Xhevat Imeri, ciceron në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, thotë se nuk mban mend të ketë ndodhur diçka e tillë deri më tani. “Nuk e di çfarë po ndodh, nuk ka njerëz.

Përpara Kompleksi Memorial gumëzhinte nga njerëzit. Edhe njerëzit e politikës nxitonin që në orët e hershme të mëngjesit, për çdo 5 mars, dita e parë e sulmit serb mbi kullat e Jasharëve, të nderonin tek varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë, por sot nuk është kështu, të paktën deri më tani (ora 10:00), thoshte Imeri, dukshëm i demoralizuar.

Të dielën, më 5 mars, janë bërë 19 vjet nga fillimi i luftës së lavdishme të familjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, kundër forcave ushtarake e policore të Serbisë. Lufta e lavdishme pati zgjatur 3 ditë, me 5, 6 dhe 7 mars. Me 7 mars ka rënë heroikisht komandanti Adem Jashari.

Manifestimi gjithëpopullor Epopeja e UÇK-së në nderim të heroizmit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, të familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të UÇK-së nuk ka filluar në Prekaz, siç bëhej zakonisht. Në ditën e parë të Epopesë Qeveria e Kosovës, nën patronatin e së cilës mbahet, kishte parashikuar vetëm ceremoninë ushtarake të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në të cilën merrnin pjesë krerët e shtetit, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa.(Zeri)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme