Prizreni me 4 të vdekur deri më tani dhe mbi 150 raste të konfirmuara me Coronavirus

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Dje në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës ka vdekur një 76-vjeçare nga Komuna e Prizrenit. Me këtë vdekje, numri i të vdekurve nga kjo sëmundje në këtë komunë ka shkuar në katër. Sipas Qendrës Klinike dhe Universitare, të gjitha viktimat kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese dhe janë të moshës mbi 50-vjeçare. Express u sjell detaje rreth këtyre rasteve.

Më 31 mars të këtij viti u konfirmua rasti i parë me COVID-19 në Prizren.

Nga ajo ditë, numri i rasteve vetëm sa shkoi duke u rritur. Aktualisht, atje janë mbi 100 raste aktive me këtë sëmundje.

Por, përveç që është në mesin e komunave me më së shumti raste të konfirmuara me koronavirus, Prizreni renditet edhe te komunat me më së shumti raste të vdekjeve.

Deri tash atje e kanë humbur betejën me koronavirusin katër të infektuar.

Rastin e parë të vdekjes kjo komunë e kishte regjistruar më gjashtë prill. Atë ditë, Klinika Infektive kishte njoftuar për vdekjen e një 70-vjeçarje nga fshati Korishë. E njëjta kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese.

“Në ora 07:10 ka përfunduar me vdekje pacientja e gjinisë femer, N. R, 1950, Korishë, Prizren, e cila është pranuar po ashtu në Mjekimin Intenziv të Klinikës Infektive me datën 02. 04.2020 dhe ka pasur sëmundje shoqëruese (Diabetes Mellitus, Nephropathia diabetica, Hypertensio arterialis dhe Cardimyopathia chronica)”, kishte njoftuar klinika.

17 ditë pas vdekjes së parë, u njoftua edhe për vdekjen e një pacienti tjetër nga kjo komunë.

Në orët e pasdites së 23 prillit, në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive përfundoi me vdekje 53-vjeçari, me inicialet K.Q, i cili ishte officer doganor.

Ai ishte hospitalizuar në QKUK më 13 prill dhe që nga fillimi kishte qenë në gjendje shumë të rëndë dhe në përkujdesje intensive.

“Pacienti ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtine më 13.04.2020 dhe që nga fillimi ka qenë në gjendje shumë të rënde dhe në përkujdesje intensive. Tek i sëmuri, gjate ecurisë së sëmundjes janë zhvilluar ndërlikime si pasojë e Covid -19, të cilat edhe përkundër të trajtimit intensiv, pamundësuan që pacienti t’i mbijetoi sëmundjes”, kishin njoftuar nga Klinika Infektive.

Një i infektuar tjetër me COVID-19 nga Prizreni ka vdekur të shtunën. Klinika Infektive përmes raportit ditor, ka njoftuar për vdekjen një 71-vjeçari nga ky qytet.

I njëjti kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

“Sot, në repartin e Mjekimit Intensiv në Klinikën Infektive, ka ndërruar jetë pacienti 71 vjeçar nga komuna e Prizrenit, i pranuar me 05.06.2020, i cili përveç infeksionit me Covid -19, kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese”, thuhej në njoftimin e QKUK’së.

Rastin e fundit të vdekjes kjo komunë e ka regjistruar dje. Në repartin e Mjekimit Intensiv në Infektivë ka vdekur një 76-vjeçare.

Ajo ishte pranuar në Infektivë më shtatë qershor dhe kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese.

“Sot, në repartin e Mjekimit Intensiv në Klinikën Infektive, ka ndërruar jetë pacientja 76 vjeçare nga komuna e Prizrenit, e pranuar me 07.06.2020 e cila veç infeksionit me Covid -19, kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese”, ka njoftuar dje QKUK’ja.

Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 265 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Nga testimi i këtyre mostrave, positive kanë rezultuar 49 raste.

Rastet pozitive janë nga Vushtrria, Peja, Prishtina, Prizreni, Istogu, Mitrovica, Fushë Kosova, Skenderaj, Vitia dhe Suhareka.

Siç ka njoftuar IKSHP’ja, javën e fundit rastet pozitive janë në mesin e punonjësve në institucione publike dhe privare, agjensione, kompani tregtare dhe biznese private.

Nga 13 marsi e deri tani, në gjithë vendin janë konfirmuar 1 mijë e 486 raste me COVID-19. Prej tyre, janë shëruar 953 pacientë, derisa 33 të tjerë e kanë humbur betejën me koronavirusin. Përveç COVID-19, ata kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 14 qershor 2020 sipas Worldometers janë raportuar gjithsej 7.919.591 raste të COVID-19 dhe 433.219 raste të vdekjes. 

Të ngjashme