Programi të rinjtë në biznes: “Fuqizimi i Konsulentëve të Rinj”

Prishtinë | 30 Qer 2022 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Sot më 30 Qershor, u mbajt Ngjarja Përmbyllëse e Projektit “Fuqizimi i Konsulentëve të Rinj” mbështetur përmes Programit për të Rinjtë në Biznes nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe financuar nga Qeveria e Suedisë.

Projekti është zbatuar nga Business Consultants Council (BCC) dhe qëllimi kryesor i tij ka qenë promovimi i konsulencës menaxheriale si riorientim në karrierë, vlerësimi i kompetencave, proceseve të konsulencës dhe ndërtimi i kapaciteteve për konsulentët e rinj përmes mundësive, qasjeve, mbështetjes dhe zhvillim të shkathtësive dhe rrjetëzimit.

Përgjatë 4 muajve, shoqata ka pranuar regjistrime dhe interesim nga 700 të rinj në biznes dhe studentë universitar dhe rreth 300 sosh janë bërë pjesë e komponenteve virtuale të projektit (60% e pjesëmarrësve kanë qenë vajza dhe gra dhe 40% djem dhe burra). Kemi shënuar një pjesëmarrje të madhe nga Kosova dhe Shqipëria dhe poashtu nga Maqedonia e Veriut dhe Hungaria. Ky projekt ka shënuar edhe bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Kolegjin Amerikan R.I.T dhe kompaninë rekrutuese Human Power.

Në këtë ngjarje morrën pjesë në format fizik drejtuesi i bankës BERZH për Republikën e Kosovës z. Neil Taylor, Menaxheri i Programit në Ambasadën e Suedisë në Kosovë z. Fatos Mulla, trajnerët dhe ekspertët, të rinjtë pjesëmarrës të projektit dhe përfaqësues nga Banka BERZH.

Drejtoresha Ekzekutive e BCC Jehona Lluka nënvizoi rëndësinë e këtij projektit përmes krijimit të ndikimit dhe suksesit në karrerën e ardhshme si konsulent menaxherial dhe pse shkathtësitë e fituara përmes këtij projekti janë të matshme dhe praktike. Lluka theksoi: të rinjtë pjesëmarrës janë bërë pjesë e Masterklasave Profesionale të Konsulencës, Trajnimeve për Ngritje të Aftësive (ISO Standardet, Qeverisja Korporative, Digjitalizimi dhe Aspektet Juridike të BIznesit), Sesionet Inspiruese me folës të ftuar Learn & Lunch dhe praktikës 1 javore në sektorin privat të formatit Job Shadowing.

Sot në ngjarjen përmbyllëse, një pjesë e pjesëmarrësve pranuan certifikatat e përfundimit të suksesshëm të projektit ndërsa ofrimi i certifikatave në format digjital do të vazhdojë edhe më tutje për pjesëmarrësit tjerë.

BCC ka zhvilluar disa artikujt faktik rreth profesionit të konsulencës, punës në sektorin e konsulencës menaxheriale dhe pse duhet konsideruar një profesion i tillë. Dokumentet e tilla do t’ju shërbejë pjesëmarrësve në nivel personal dhe profesional dhe synojnë në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e konsulencës menaxheriale.

Të ngjashme