QKSS: Gratë kosovare të përjashtuara nga sektori i sigurisë, avancimi i tyre mbetet sfidë

Prishtinë | 11 Dhj 2019 | 10:42 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka lansuar platformën “Forumi i Gruas për Siguri”, aktivitet ky që implementohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Qëndrueshmërisë: Komunitetet kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, raporton Ekonomia Online.

Kjo platformë ka për qëllim fuqizimin e grave dhe avancimin e të drejtave të tyre në sektorin e sigurisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë dhe avokimin për adresimin e shqetësimeve dhe pakënaqësive të tyre në sektorin e sigurisë.

Mentor Vrajolli, drejtor i QKSS-së, tha se institucionet e Kosovës kanë avancuar sa i përket ekstremizmit të dhunshëm, duke fuqizuar dialogun ndërmjet komuniteteve religjioze.

“QKSS gjatë viteve të fundit ka qenë më aktive kundër temave të ekstremizmit të dhunshëm dhe po ashtu synojmë që ta trajtojmë këtë problematikë. Në kuadër të kësaj fushe institucionet e Kosovës kanë pasur një progres. Qëllimi është të krijojmë një kohezion më të madh shoqëror dhe fuqizimi i dialogut ndërmjet komuniteteve religjioze. Një ndër arsye se pse qytetarët e Kosovës janë radikalizuar është se institucionet e Kosovës nuk i kanë ofruar kushte për të qenë pjesë e shoqërisë”, tha ai.

Ambasadorja e Holandës Gerrie Williems tha se ky projekt fuqizon të rinjtë dhe gratë në çështjet politike. Ajo tha se përfshirja e grave në siguri ka qenë një sfidë globale.

“Ky projekt do të diskutohet në 10 komunat e Kosovës si Prizreni, Peja, Mitrovica, Suhareka, Prishtinë, Fushë Kosova,  etj, qëllimi i këtij projekti është kontribimi në komunitete të qëndrueshme dhe të parandalohet dhuna dhe ekstremizmi në komunitetet e tjera në Kosovë. Ky projekt fuqizon të rinjtë dhe gratë rreth çështjeve të ndryshme politike. Përfshirja e grave në siguri ka qenë një sfidë globale. Për të adresuar mungesën e grave në siguri në vitin 2000 u miratua rezoluta e cila paraqet një nyje në të cilën qeveritë kanë kërkuar avancimin e grave në sektorin e sigurisë. Përkundër përpjekjeve gratë vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha në këtë fushë”, tha ajo.

Ajo po ashtu tha se gratë në Kosovë mbesin mjaft të përjashtuara nga tregu i punësimit dhe janë të privuar nga trashëgimia familjare dhe kjo nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas saj gratë po luftojnë për t’i parandaluar këto barriera.

“Gratë kanë qëndrim sociale e familjar qe ndihmon në parandalimin e dhunës dhe i mban së bashku familjen e shoqërinë. Shumica e grave përballe me këto barriera dhe gratë çdo ditë po vetëdijesohen. Gratë janë duke bërë punë për ti ndaluar shkaqet e shumë fenomeneve në familje duke përfshirë dhunën dhe ekstremizmin”, tha ajo.

Nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Teuta Avdimetaj, tha se përmes këtij projekti po synojnë të fuqizojnë rolin e gruas në shoqëri.

“Qëllim i këtij projekti është promovimi i një roli më aktiv dhe po synojmë ta fuqizojmë këtë rolë. Tradicionalisht në fushë e sigurisë kemi parë që gratë kanë anashkaluar dhe nuk janë kanë të përfshira si në fushën e studimeve dhe ato politikbërëse dhe një kthesë shumë e rëndësishme në këtë aspekt është bërë me rezolutën 13/25. Përmes rasteve të ndryshme kemi kuptuar që gratë mund të jenë viktima por ata mund të jenë edhe parandaluese. Në ato komunitete ku depërtojnë rrymat ekstreme ndër të para që afektohen janë gratë”, tha ajo.

Ky aktivitet dhe Forumi i Gruas për Siguri në përgjithësi, do t’i japë rëndësi të veçantë sigurisë së grave në Kosovë edhe (mos) veprimit të institucioneve për të adresuar sfidat e tyre të sigurisë.

Të ngjashme