“Qytetarë të edukohen për kërkimin e të drejtave të tyre”

Prishtinë | 27 Mar 2018 | 11:56 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) ka mbajtur tryezën e gjashtë të ekspertëve me temën “E Drejta në Kompensim për Shkeljet e të Drejtave të Njeriut”.

Kushtrim Kaloshi, drejtor ekzekutiv i ATRC, tha se qëllimi kryesor i kësaj tryeze është që të edukojmë publikun dhe të i’u tregojmë se cilat janë hapat që duhet të ndërmerren për të kërkuar të drejtat e tyre dhe se cilat janë të drejtat të cilat ia lejon ligji, raporton Ekonomia Online.

“Në këtë temë në të drejtat kompensimit kemi filluar me rastin e vrasjes së Diana Kastratit e cila ka ndodhur vite më parë. Vrasja e saj ka qenë një arsye që ne të merremi direkt me këtë temë sepse pasi ndodhi rasti ne morëm çështjen përmes kampanjës “drejtësia qytetare” dhe kërkuam nga gjykata kushtetuese sqarim dhe vërtetim se kush është fajtor për vrasjen e Diana Kastratit. Diana kishte kërkuar urdhërmbrojtës nga gjykata themelore në Prishtinë për shkak raporteve që kishte me ish-bashkëshortin e saj dhe atë urdhërmbrojtës gjykata nuk ia kishte lëshuar dhe për këtë arsye gjykata kushtetuese tha që shteti i Kosovës është fajtor për vrasjen e Diana Kastratit”, tha Kaloshi.

“Ne në mënyrë të vazhdueshme kemi taku qytetar dhe kemi bërë takime informative nëpër komuna, kemi ngritur tema te ndryshme dhe çështje te ndryshme gjithmonë duke synuar qe ato çështje të kthehen në fushat avokimi dhe të trajtohen dhe respektohen ndaj kësaj Republike të cilat do të garantonin ato që janë të garantuara me ligj në kushtetutë të drejtat e njeriut”, shtoi Kaloshi.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se deri me sot asnjë rast nuk ka pasur kompensim për viktimat të cilëve iu janë shkelur të drejtat e njeriut.

“Nuk ka asnjë sistem demokratik në botë e cila nuk e përfundon ciklin e të drejtave të njeriut me kompensim, ndërsa tek ne nuk është as në horizont për momentin”, ka thënë Jashari.

Ndërsa, Habit Hajredini nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, tha se viktimat duhet të kompensohen me ato ligje që kemi në gjyq dhe me vendimet e gjykatësit dhe gjyqësorit.

“Unë e vlerësoj shumë këtë takim për t’i gërshetuar idetë dhe mendimet tona lidhur me këtë temë dhe natyrisht institucioni jonë në bashkëpunim me tjerat institucione do të punojmë që udhëzimi administrativ dhe specifikat tjera do t’i ndërmarrim sa i përket kompensimit të drejtave të njeriut të jetë një hap më i përshpejtuar”, ka thënë Hajredini.

Të ngjashme