Qytetari që thoshte se u pushua nga puna veç pse s’e votoi Hoxhiqin i bie pishman për deklaratat

Prishtinë | 12 Mar 2021 | 18:12 | Nga Ekonomia Online

Bojan Markoviq, që të enjten u deklarua se u pushua nga vendi i punës në Komunën e Ranillugut veç pse s’votoi për Adrijana Hoxhiqin në zgjedhjet e 14 shkurtit, i ka rënë pishman për deklaratat e tij.

Markoviq, që ishte larguar nga puna si sigurim fizik i objektit të Komunës së Ranillugut pas zgjedhjeve, kishte thënë për “Radion Evropa e Lirë” se arsye për shkarkim ishte mosvotimi për Hoxhiqin, “duke mos iu bindur urdhrave të kryetarit të komunës, Vlladica Aritonoviq nga Lista Serbe”.

Por një ditë pas publikimit të këtij lajmi, ai ka mohuar deklaratat. Demantimin e deklaratës së tij e ka kërkuar edhe zyrtari i kompanisë së sigurimit që e shkarkoi Markoviqin me kërkesë të Komunës.

Markoviqi po konsideron se fjalët e tij “janë nxjerrë nga konteksti dhe janë keqpërdorur për qëllime politike”.

Subjekti Unioni i Bashkuar i Hoxhiqit në zgjedhjet e shkurtit mori 6422 vota apo një ulëse në Kuvend. Sidoqoftë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke vepruar në bazë të ankesës së partive të tjera boshnjake, ia anuloi subjektit të Hoxhiqit 4.205 fletëvotime pas shpalljes së rezultateve përfundimtare. Vendimi u mor me arsyetimin se numri i votave për partitë boshnjake u rrit me 49 për qind, që krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2019 nënkupton se “si asnjëherë më parë, mijëra votues të komunitetit serb në Kosovë votuan për përfaqësuesit boshnjakë”. Hoxhiq e apeloi vendimin e PZAP-it në Gjykatën Supreme, e cila pritet të vendosë për këtë çështje deri më 12 mars.

REL ka publikuar edhe regjistrimet e bisedave me Markoviqin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme