Ramadani: Ne s’do të lejojmë që të vdesin njerëzit nga pakujdesia e të tjerëve

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 13:53 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Naser Ramadani ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk i janë përmbajtur rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë, prandaj edhe ka rritje të numrit të rasteve me Covid-19, raporton Ekonomia Online.

“Në këto dy javë të lehtësimit të masave kur kemi menduar që çdo qytetar do të jetë i pavarur në ndërmarrjen e masave të thjeshta dhe të përditshme të sjelljeve të tyre të përditshme – që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskave dhe higjienën e tyre personale – unë po ju them në emër të IKSHPK-së me përgjegjësi të plotë se kjo nuk është arritur”.

“Qytetarët nuk e kanë dhënë provimin – nuk i janë përmbajtur rekomandimeve në pjesën më të madhe të tyre dhe për këtë kemi rritje të numrit të rasteve javën e kaluar  dhe në prognozën e IKSHPK-së do të kemi rritje të numrit të rasteve edhe këtë javë”.

Ramadani këto komente i ka bërë gjatë prezantimit të Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19 nga Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.

Ai ka thënë se nëse nuk respektohen rekomandimet e dala nga ky manual – që i ka përmbledhur në tri kryesore: mbajtja e distancës, mbajtja e maskës dhe larja e rregullt e duarve – do të ketë kthim në pikën zero, raporton EO.

“Ne si profesionistë nuk do të lejojmë që të vdesin njerëzit nga pakujdesia e të tjerëve. Derisa dikush sillet nonshalant kudo në Kosovë, profesionistët shëndetësorë me gjithë mundin e vet – disa që pesë muaj pandërprerë dhe me nga 20 orë në ditë – nuk do të lejojnë që të vdesin njerëzit nga pakujdesia e të tjerëve”.

“Do t’i rrisim kapacitetet shëndetësore duke vizituar institucionet shëndetësore ku do të shohim mundësitë e ofrimit të shërbimit shëndetësor për çdo qytetar që aksidentalisht ka mundur të marrë virusin. Për ata që për shkak të pakujdesit thërras në ndërgjegjen e tyre që të kenë kujdes, sepse së pari sulmojnë të afërmit të tyre, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, raporton EO.

Të ngjashme