Raporti i Avokatit të Popullit dërgohet në Kuvend

Prishtinë | 03 Maj 2017 | 16:20 | Nga

Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrtoi raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016, si dhe procedoi për seancë plenare propozimin e kandidatëve për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, vlerësoi se gjatë këtij mandati, krahasuar më vitet paraprake, është punuar me një intensitet më të lartë dhe është bërë punë shumë efektive në fushën e të drejtave të njeriut.

“Në kuadër të zbatimit të mandatit, gjatë këtij viti raportues janë adresuar 173 rekomandime, për institucionet e Republikës së Kosovës, gjë që shënon rritje prej 203% në krahasim me vitin paraprak. Gjithashtu, është shënuar rritje në nivelin prej 100% të rasteve të hetuar Ex-Officio (hetimeve me vetë iniciativë) krahasuar më vitin e kaluar, që kanë të bëjnë kryesisht me shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe lirive të njeriut”, tha Jashari.

Gjatë raportimit të tij, Jashari vuri në dukje edhe angazhimet dhe punët tjera që janë zhvilluar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, siç janë: procesi i ri-organizimit, që ka për qëllim ngritjen e efektivitetit dhe ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e mandateve të besuar me Kushtetutë dhe ligje, hartimi i strategjisë për planin zhvillimor të IAP-së për vitin 2017-2019, më anë të së cilës do të zhvillohen aktivitet e institucionit për gjatë këtyre viteve.

Anëtarët e komisionit e vlerësuan punën dhe angazhimin e Avokatit të Popullit, në veçanti rritjen e numrit të rekomandimeve adresuar institucioneve përkatëse. Pas diskutimeve nga anëtarët e komisionit, raporti u miratua dhe do t’i dërgohet Kuvendit për miratim.

Në pikën e dytë të shqyrtimit të vendimit të Avokatit të Popullit për propozimin e kandidatëve për zgjedhjen e pesë zëvendësve nga ky institucion, anëtarët e komisionit votuan listën me 12 emra, e cila do të votohet sipas procedurave të rregullores së Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, shqyrtimi i peticioneve është shtyrë për mbledhjen e radhës, për shkak të mungesës së kuorumit.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme