Reagon Murati: Hera e parë që rrëzohet një marrëveshje financiare ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, LDK sapo bëri histori

Prishtinë | 21 Jan 2022 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave Hekuran Murati prezantoi në seancën e sotme në Kuvend një marrëveshje ndërkombëtare për kredi nga Banka Botërore në vlerë 47 milionë euro për skemat sociale.

Por kjo marrëveshje nuk u votua nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Për këtë ka reaguar ministri Murati, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se “LDK sapo bëri histori në Kuvend”, duke theksuar se është hera e parë që një marrëveshje financinare ndërkombëtare rrëzohet në Kuvendin e Kosovës.

“LDK sapo bëri histori në Kuvend! Është hera e parë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare rrëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në të kaluarën, ka pasur raste kur marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë kaluar duke mos marrë kuorumin e nevojshëm prej 80 votave, gjë që ka nënkuptuar se janë shtyrë për seancën e radhës, por asnjëherë nuk ka ndodhur që ato të rrëzohen kështu si bëri LDK sot. Por ja që LDK votoi kundër, dhe e rrëzoi”, ka shkruar Murati në Facebook, përcjell Reporteri.net.

Ai ka shtuar se kjo marrëveshje e nënshkruar me Bankën Botërore kishte për synim reformimin e skemës së ndihmës sociale për të targetuar dhe përfshirë familjet në nevojë.

“Po ashtu, projekti kishte synim ndërtimin dhe integrimin e sistemeve që këto familje të mbështeteshin drejt integrimit në tregun e punës, ashtu që mbështetja sociale të ishte e përkohshme, dhe të shërbente si fazë kalimtare deri në punësimin e tyre. Nga kjo marrëveshje do të përfitonin dhjetëra mijëra familje”, ka potencuar Murati.

Ky reagim i ministrit Murati erdhi pasi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti theksoi se LDK-ja nuk e përkrah këtë marrëveshje. Hoti e pyeti atë se çfarë shteti është Kosova nëse merr kredi për të paguar skemat sociale.

“Që të rishikohen skemat pajtohemi sepse ka qytetarë që plotësojnë kushtet dhe s’marrin dhe anasjelltas. Të merret kredi për pagesë të skemave sociale kjo nuk ka ndodhur asnjëherë ndoshta prej vitit 2008 e këndej që shteti i Kosovës të marrë kredi për të paguar skemat sociale ose paga. Në fund të fundit çfarë shtetit jemi nëse nuk arrijmë që me të hyrat që kemi të paguajmë skemat sociale e pensionale. Vetëm Palestina ose Sahara Perëndimore që kanë vështirësi për konsolidimin e institucioneve marrin kredi të tilla”, tha Hoti në Kuvend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme