Roja i pyllit në Fushë Kosovë shpallet i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, rojën e pyllit në Fushë Kosovë, Agim Shishani.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur te premten nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila ka thënë se nuk është provuar se i akuzuari ka kryer një vepër të tillë penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e mbajtur më 26 dhjetor, i akuzuari Shishani kishte mohuar fajësinë.

“Kuku për neve çka na paska gjet, me të pru këtu prokurorja pa asnjë provë, veç qitu e pash”, kishte thënë i akuzuari Shishani.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 tetor 2018, Shishani pretendohet se në cilësinë e personit zyrtar, rojtar i pyjeve pranë Komunës së Fushë Kosovës, nga fillimi i muajit janar të vitit 2017 e deri më 19 korrik 2017, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare.

Sipas kësaj aktakuze thuhet se Shishani nuk kishte bërë mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve për të cilat kishte qenë i ngarkuar në terrenin e tij në Gospojë dhe Grabovc për të cilin ishte përgjegjës për mbrojtje dhe ruajtje ku ma pas kishte ndodhur dëm pyjor i pa arsyetuar nga prerja ilegale e pyjeve.

Në bazë të kësaj Agim Shishani pretendohet se i kishte shkaktuar dëm të përgjithshëm prej 478.93.40m kub, në vlerë prej 43.103.70 euro të dëmtuarës Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme