Shoqata e pacientëve ka pranuar 79 ankesa gjatë pandemisë, s’adresohen nga institucionet

Prishtinë | 05 Sht 2020 | 08:31 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Shoqatën për të drejtat e pacientëve gjatë periudhës së pandemisë kanë pranuar 79 ankesa, ka konfirmuar një në intervistë për Ekonomia Online, drejtori i kësaj shoqate Besim Kodra.

Tutje, ai tha se institucionet shëndetësore nuk kanë qenë të angazhuara në adresimin e këtyre ankesave.

Sipas tij, pacientët janë ankuar sa i përket ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore, të cilat kanë funksionuar vetëm në raste urgjente.

“Gjatë periudhës së pandemisë kemi pranuar diku 79 ankesa të cilat lidhen me Coronavirusin dhe mandej kemi adresuar në institucionet shëndetësore por disa prej tyre janë trajtuar dhe disa të tjera janë ende në proces. Institucionet nuk kanë qenë të angazhuara në adresimin e këtyre ankesave. Ka pasur përqasje në testim, vonesa në rezultate dhe mostrajtim të tyre pasi që janë konsideruar si raste jo emergjente dhe të ngjashme”.

“Fakti se janë ndërprerë shërbimet shëndetësor dhe kanë funksionuar vetëm ato për raste urgjente tregon me së miri se sa janë shkelur të drejtat e pacientëve. Ka pasur një bllokim total të shërbimeve shëndetësore të cilat kanë qenë jashtë Coronavirusit dhe këto më së shumti i ka vërejtur pacienti”, shtoi Kodra.

Ai tha se në vazhdimësi kanë adresuar kërkesat e pacientëve në ministri të Shëndetësisë. Kurse nga MSh-ja janë arsyetuar se nuk duhet të lirohen shërbimet shëndetësore, sepse mund të ketë fluks më të madh të pacientëve.

Madje, ai shtoi se nuk ka kurrfarë logjike që kafiteritë janë lejuar të punojnë ndërsa shërbimet shëndetësore ende mbesin të mbyllura.

 “Në vazhdimësi i kemi adresuar kërkesat e tyre edhe në Ministri të Shëndetësisë, mirëpo edhe këta janë arsyetuar se nëse lirohen shërbimet shëndetësore atëherë mund të rritet fluksi i pacientëve dhe prapë kjo nuk është një arsye që ish dashtë mi ndërpre shërbimet”.

“Janë lejuar kafiteritë ndërsa shërbimet shëndetësore ende mbesin të mbyllura dhe kjo nuk ka kurrfarë logjike me balancuar shëndetin publik me ekonominë e tregut”.

Sipas tij, ka pasur ankesa edhe sa i përket trajtimit të pacientëve, për shkak të uljes së kapaciteteve nga institucionet shëndetësore.

“Ka pasur ankesa edhe sa i përket trajtimit të pacientëve, mirëpo gjendja me Coronavirus ka qenë një gjendje e re për neve. Ne kemi pasur një sistem jashtëzakonisht të brishtë, por ende nuk kemi rritje të kapaciteteve të institucioneve shëndetësore për t’i trajtuar normalisht pacientët me Coronavirus”, tha Kodra.

Poashtu, Kodra tha se pacientët në mungesë të medikamenteve janë detyruar t’i blejnë vetë ato.

“Rreth medikamenteve ka pasur ankesa të shpeshta ku pacientët janë detyruar ti blejnë vetë barnat që janë përshkruar madje ankesat më të mëdha kanë ardhur nga pacientët të cilët janë trajtuar vetë në kushte shtëpie ku nuk janë përgjigjur institucionet për ta. Pacienti ka bërë zgjidhje vetë dhe në disa raste i është drejtuar edhe institucioneve private shëndetësore dhe ka marrë trajtimin që i është dashur”, shtoi  ai.

Ai foli edhe për kushtet aktuale, duke theksuar se sektori i shëndetësisë mbetet mjaft i brishtë, raporton EO.

“Kushtet aktuale nuk kanë një trajtim të dinjitetshëm të pacientit dhe vazhdimisht ka telashe të trajtimit të tyre sepse në shumicën e rasteve personeli shëndetësor nuk është shumë përgjegjës për faktin se nuk ka kushte dhe ka ankesa ndaj personelit që nuk janë trajtuar si duhet”.

“Megjithatë nëse një sistem shëndetësor është i brishtë nuk mund të presim përgjegjësi më të mëdha prej tij. Vlera e sektorit të shëndetësisë është shumë e ulët tek ne dhe ende nuk po mendohet për të arritur vlerën e sektorit të shëndetësisë. Kështu që pa u arritur vlera e sektorit të shëndetësisë nuk mund të presim kushte më të mira të punës për personelin dhe trajtimin e pacientit”.

Të ngjashme