Shoqëria civile reagon për deportimin e “gylenistëve”

Prishtinë | 01 Pri 2018 | 15:02 | Nga

Organizata të ndryshme nga shoqëria civile në Kosovë kanë reaguar sot në lidhje me deportimin e gjashtë qytetarëve turq ‘gylenistë’ nga Kosova, të enjten që shkoi.

Këto organizata shprehin indinjatën e tyre për, siç thuhet “dështimin e organeve gjegjëse në Kosovë që të mbrojë grupin e mësimdhënësve nga një kidnapim dhe ekstradim shokues i bërë nga Agjencia Kosovare e Intelegjencës. Ky akt është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”.

“Ky rrëmbim tregon që Kosova nuk ia doli të jetë strehim i sigurt dhe mburojë për individë të përndjekur politikisht. Ne, fatkeqësisht mësuam edhe njëherë që zinxhiri ekzekutiv është jo funksional dhe i paaftë të parandalojë ndërhyrje klasike në sovranitet. Kjo burgosje e mjegullt na gjen të habitur e mbi të gjitha na bën të ndjehemi të pasigurt e të pambrojtur. Po kështu, jemi jashtëzakonisht të brengosu që ky akt ishte traumatik jo vetëm për të arrestuarit, por edhe për familjarët, që padinjitetshëm u trajtuan”, thuhet në reagim.

Organizatat e shoqërisë civile dënojnë veprimin e institucioneve dhe kërkojnë llogaridhënie dhe përgjegjësi penale ndaj personave të cilët thuhet se anashkaluan zinxhirin ekzekutiv.

“ Më saktë, të publikohen gjithë emrat e personave të përgjegjëshëm dhe të ndërrmiren masa në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës duke përfshirë edhe shkarkimin e zyrtarëve të lartë për shkeljen flagrante të Kushtetutës”, thuhet në reagimin e këtyre organizatave.

Reagimin e kanë nënshkruar: Alter Habitus – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë; Balkan Policy Research Group; Community Building Mitrovica (CBM);Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED); Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA);Partners Kosova; Qendra për Barazi dhe Liri (CEL); Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK); Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR); Hana Marku; Jeta Berisha; Rreze Abdullahu; dhe Sibel Halimi.

Të ngjashme