Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, bashkëpunim në fushën e mjedisit

Prishtinë | 27 Mar 2017 | 15:07 | Nga

Ministri i Mjedisit i Shqipërisë, Lefter Koka, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë, Bashkim Ameti, dhe ministri kosovar i Mjedisit, Ferat Shala, zhvilluan sot në Tiranë takimin e nivelit të lartë, gjatë të cilit prezantuan projektin “Menaxhimi i Ekosistemit Ndërkufitar”.

Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Mjedisit e Shqipërisë thuhet se gjatë takimit të tre ministrat e Mjedisit shkëmbyen pikëpamjet e tyre lidhur me hapat e mëtejshëm për zbatimin e “Vizionit të Përbashkët” trepalësh mes këtyre shteteve, të nënshkruar në vitin 2013 “Për një zonë të mbrojtur ndërkufitare të rajonit Sharr/Sar- Planina/Korab-Koritnik”, rajon që aktualisht është pjesë e projektit që u prezantua pas takimit të mbajtur sot.

Sipas njoftimit në fjalën e tij ministri Koka theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për mbarëvajtjen e këtij projekti.

“Vullneti i përbashkët ka rëndësi kyçe për ta bërë të zbatueshëm këtë projekt dhe të tjera mes vendeve tona. Shpesh ndodh që nuk janë fondet apo mungesa e kapaciteteve të shteteve për të realizuar finalizimin e bashkëpunimeve, por vullneti për ta çuar përpara atë. Çfarë firmosim e biem dakord duhet të kenë vullnetin tonë i cili është vendimtar për zbatimin e çdo projekti të përbashkët”, ka deklaruar Koka, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi gati. Kemi çdo mekanizëm dhe kapacitet gati për të bërë të mundur këtë projekt. Natyra, flora dhe fauna janë pakrahasimisht më të rëndësishme se barrierat”, u shpreh ministri Shala.

Ndërsa ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë, Bashkim Ameti, theksoi gjatë takimit se: “Rikonfirmojmë vullnetin e qeverisë sonë bazuar në firmosjen e marrëveshjes në vitin 2013 mes 3 vendeve dhe këtij vizioni të përbashkët për avancimin e zonave ndërkufitare. Kontribuojmë në mbrojtjen më efikase dhe përmbushjen e qëllimeve globale për biodiveristetin”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme