Shtyhet shqyrtimi gjyqësor për vrasjen në tentativë në vitin 2007

Prishtinë | 30 Dhj 2021 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Me kërkesën e të pandehurit E.K është shtyrë shqyrtimit gjyqësor në rastin për tentim vrasjen e vitit 2007 në Mitrovicë.

I pandehuri fillimisht në seancën e së enjtes deklaroi se e pranon që si mbrojtës i tij të caktuar sipas detyrës zyrtare të jetë avokati Gazmend Ismajli, mirëpo kërkoi nga gjykata që të shtyhet shqyrtimi gjyqësor me arsyetimin se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme të konsultohet me mbrojtësin e tij dhe për herë të parë janë takuar sot në sallën e shqyrtimit gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë propozimi të pandehurit e ka mbështetur edhe mbrojtësi i të pandehurit, avokati Gazmend Ismajli. Ai shtoi se nuk është i pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

“Konsideroi se nuk i kam të gjitha shkresat e lëndës, për çka në ditët në vijim do të pajisem me to”, tha avokati Gazmend Ismajli.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Metor Hajraj e aprovoi kërkesën e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, seanca e shqyrtimit gjyqësor u shty për 4 prill 2022.

Ndryshe, prezentë në këtë seancë ishin prokurori i shtetit Naim Beka, të dëmtuarit – dëshmitarët A.D dhe B.A si dhe dëshmitari B.R, ndërsa munguan të dëmtuarit – dëshmitarët B.A, i cili mungesën nuk e ka arsyetuar dhe i dëmtuari – dëshmitari B.B, për këtë të fundit nga raporti i Policisë së Kosovës thuhet se jeton në Gjermani.

Ndryshe, Prokuroria Publike e Qarkut në Mitrovicë më 9 tetor 2007, kishte përpiluar aktakuzën kundër E.K.

Sipas aktakuzës me datë 12 korrik 2007, në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë në afërsi të hotelit “Miri”, i akuzuari me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të “Vrasjes” ndaj të dëmtuarve B e B.A, si dhe A.D e D.B, por të njëjtën nuk e ka përfunduar.

Sipas aktakuzës, pas një fjalosje në mes të dyshuarit në njërën anë dhe të dëmtuarve në anën tjetër, që kishte ndodhur të njëjtën ditë më herët, i dyshuari ka shkuar në shtëpinë e tij në rrugën “Gazmend Baliu”, ka marrë armën – pushkën automatike të markës “Kallashnikov” së bashku me 81 copë fishekë dhe të njëjtën e ka futur në çantë ka dalë që të kërkojë të dëmtuarit.

Aktakuza thotë se posa ka arritur në vendin e cekur, ka vërejtur të dëmtuarit iu është afruar duke iu bërtitur “ndaluni tradhtarë” dhe menjëherë nga arma e tij ka shtënë në drejtim të tyre me një predhë, e cila kishte goditur një veturë të markës “Audi”, e cila ka qenë e parkuar afër vendit të ngjarjes me çka ka rrezikuar edhe kalimtarët që kanë qenë duke qarkulluar spontanisht në atë pjesë të rrugës, mirëpo viktimat posa kanë vërejtur këtë kanë ikur në drejtime të ndryshme dhe vepra ka ngelur në tentativë.

Me këtë, i akuzuar ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 147, pika 4 e lidhur me nenin 20 par.1 të Kodit Penal.

Tutje në aktakuzë thuhet se deri më datë , kohë dhe vendin e përshkruar si në pikën 1 të dispozitivit të aktakuzës, pa leje valide për mbajtjen e armëve, ka poseduar një pushkë automatike të tipit “Kallashnikov”, së bashku me 81 copë fishek.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, par.2 të Kodit Penal, në bashkim real si në pikën një të dispozitivit.

Të ngjashme