S’ka ndeja sonte në Kosovë, gastronomët respektojnë ditën e zisë për Albright

Prishtinë | 25 Mar 2022 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka bërë të ditur se për shkak të ditës së zisë të shpallur në Kosovë me rastin e vdekjes së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, nuk do të mbahen ngjarjet e parapara të mbahen sot.

Këtë e ka bërë të ditur Shoqata përmes një njoftimi në faqen e tyre, ku kërkohet që ngjarjet e planifikuara për sot, të shtyhen për një datë tjetër.

“Kërkojmë nga ju që eventet e parapara për sot ti shtyeni për një datë tjetër. Ju lutemi për mirëkuptimin tuaj sepse mbajtja e eventeve nuk ka kuptim në ditë zie të shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Me respekt e dedikuar ndaj mikeshës dhe heroinës së popullit të Kosovës, znj. Medeline Albright, që dha kontribut të jashtëzakonshëm për gëzimin e lirisë tonë!”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Kosova e ka shpallur ditë zie të premten, në nderim të jetës dhe veprës së Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq të mërkurën.

Presidentja Vjosa Osmani e ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zisë shtetërore në tërë territorin e Kosovës.

Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Familja e saj kanë njoftuar se Albright ka vdekur shkaku i kancerit.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit vlerësohet si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që aleanca e NATO-s të ndërhynte në Kosovë, ndërhyrje që çoi në çlirimin e Kosovës.

Ajo kishte thënë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte bërë “në emër të lirisë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme