Sot vendoset për Haradinajn

Prishtinë | 02 Mar 2017 | 08:03 | Nga

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të dalë sot para gjykatës franceze në Colmar, ku pritet të merret vendimi për lirimin e tij, pasi raportohet se Serbia nuk ka arritur të sigurojë dëshmi që ta bindë drejtësinë franceze për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit në vitin 2004.

Gjykata franceze, në seancën e mbajtur më 9 shkurt, nuk vendosi përfundimisht për këtë rast, duke e lënë Haradinajn nën masën e lirimit me kusht dhe duke e shtyrë vendimin për 2 mars.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore të 9 shkurtit, Ramush Haradinaj para medieve pati thënë se kërkesa e Serbisë për ekstradim është abuziv dhe i pabazuar, dhe këtë e di edhe Franca.

“Gjykata nuk ka marrë vendim sot, vendimin do ta jep më 2 mars, ne po shpresojmë që mos po merret më herët vendimi pasi që 2 marsi është larg. Kërkesa e ekstradimit të Serbisë është abuziv dhe i pabazuar, dhe këtë e di edhe Franca”, ishte shprehur Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme