Sveçla dyshon se Pacolli hyri në Kosovë me veturën e presidentit Thaçi, paralajmëron masa

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 18:15 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka  shfaqur dyshime se deputeti Behgjet Pacolli është futur në Kosovë me veturën e presidentit Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.

Sveçla ka thënë se presidenti Thaçi e ka shkelur protokollin shtetëror të martën, duke shkuar në Shqipëri duke mos njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Sveçla është shprehur se nëse del të jetë i vërtetë ky dyshim, ndaj deputetit Pacolli, policia do të ndërmarrë masa. Ai ka kërkuar nga Pacolli që menjëherë të tregojë vendndodhjen.

E për presidenti Hashim Thaçi, Sveçla ka thënë se duhet të futet në karantinë ose vetizolim nëse vërtetohet që ka udhëtuar me liderin e AKR-së.

“Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e Policisë kufitare që Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi ka kaluar kufirin shtetëror në ora 17:39 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer në Kosovë në ora 19:20. Kur eskorta e Presidentit është ndalur, është konstatuar që në veturën e dytë ndodhet Presidenti. Po ashtu është vërejtur që Presidenti ishte ulur në ulësen e parë, përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP ”, ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se deri tani nuk ka  konfirmim se Thaçi ka qenë i shoqëruar nga Pacolli.

“Megjithatë një skenar i tillë, nëse provohet të jetë i vërtetë, do të minonte komplet Republikën e Kosovës dhe do paraqiste mosrespektim të plotë të organeve të rendit Megjithatë një skenar i tillë, nëse provohet të jetë i vërtetë, do të minonte komplet Republikën e Kosovës dhe do të paraqiste mosrespektim të plotë të organeve të rendit. Për më tepër, shkelja e vendimeve të hartuara nga organi kompetent, në këtë rast Ministria e Shëndetësisë, në qëllim të kontrollimit të pandemisë është vepër penale e përshkruar në nenin 250 të Kodit Penal”, tha Sveçla.

Sveçla ka thënë se nëse Pacolli shfaqet në Kosovë, policia do të marrë masat e parapara me ligj.

“Nëse me të vërtetë deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Behgjet Pacolli ka qenë në veturën e Presidentit të Kosovës, me sjelljen e treguar ka shkelur me vetëdije të plotë obligimin për karantinim ose vetë-izolim për të cilin ishte informuar edhe para nisjes për Kosovë”.

“Ne i kërkojmë Presidentit të vendit që të përgjigjet se pse ka vendosur të bëjë tejkalimin e protokollit shtetëror, ndërkaq z.Behgjet Pacollit i kërkojmë që të shprehet tani, menjëherë ku është, përndryshe nëse ai shfaqet në publik në një moment të caktuar, Policia do të ndërmerr masa të parapara me legjislacionin në fuqi”, ka deklaruar Sveçla.

Fjala e plotë e u.d. Sveçla në konferencën me gazetarë:

Pas shumë shqetësimeve dhe pyetjeve që kanë lindur prej gazetarëve dhe publikut, jemi mobilizuar që të gjejmë përgjigjet në të gjitha këto shqetësime. Nuk e ndihmon aspak shtetin asnjë veprim që vë në dyshim rendin, dhe sidomos shëndetin publik. Dyshimi që ka lindur me lëvizjet e z. Pacolli, pra nëse aktualisht personi në fjalë gjendet në Kosovë, ka përligjur skenarët që po qarkullojnë kudo. Për ne nuk janë shqetësim skenarët, por më shumë fakti se, nëse del i vërtetë objekti i tyre, vihet në dyshim qenësia e ligjeve të Kosovës si dhe vendimeve të qeverisë në kuadrin e luftimit të pandemisë.

Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e Policisë kufitare që Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi ka kaluar kufirin shtetëror në ora 17:39 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer në Kosovë në ora 19:20. Kur eskorta e Presidentit është ndalur, është konstatuar që në veturën e dytë ndodhet Presidenti. Po ashtu është vërejtur që Presidenti ishte ulur në ulësen e parë, përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP.

Po ashtu Policia, për shkak të xhamave të zinj, nuk ka mundur të dallojë nëse ka persona tjerë të ulur prapa. Vetura e Presidentit ka qenë e shoqëruar vetëm nga një veturë tjetër, në të cilën ka qenë vetëm shoferi.
Për sqarim, në bazë të Ligjit për Protokollin Shtetëror, çdo vizitë e Presidentit jashtë kufijve, qoftë zyrtare ose private, duhet që të komunikohet te Protokolli Shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Tashmë është konfirmuar që Protokolli i Shtetit, për kundër dispozitave ligjore në fuqi, nuk është njoftuar lidhur me vizitën e Presidentit në Republikën e Shqipërisë.

Më lejoni të sqaroj që deri tani ne nuk kemi konfirmim se z. Thaçi ka qenë i shoqëruar nga z.Pacolli, megjithatë një skenar i tillë, nëse provohet të jetë i vërtetë, do minonte komplet Republikën e Kosovës dhe do paraqiste mosrespektim të plotë të organeve të rendit.

Për më tepër, shkelja e vendimeve të hartuara nga organi kompetent, në këtë rast Ministria e Shëndetësisë, në qëllim të kontrollimit të pandemisë është vepër penale e përshkruar në nenin 250 të Kodit Penal.

Sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Personat për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e sëmurë apo të dyshimtë në sëmundje nga Corona Virus, futen në karantinë. Rrjedhimisht, në qoftë se vërtetohet që Presidenti ka qenë i shoqëruar nga z.Pacolli, obligohet që t’i nënshtrohet karantinës, ose vetë-izolimit në linjë me historikun e shëndetit.

Nisur nga kjo, nëse me të vërtetë deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Behgjet Pacolli ka qenë në veturën e Presidentit të Kosovës, me sjelljen e treguar ka shkelur me vetëdije të plotë obligimin për karantinim ose vetë-izolim për të cilin ishte informuar edhe para nisjes për Kosovë.

Ne i kërkojmë Presidentit të vendit që të përgjigjet se pse ka vendosur të bëjë tejkalimin e protokollit shtetëror, ndërkaq z.Behgjet Pacollit i kërkojmë që të shprehet tani, menjëherë ku është, përndryshe nëse ai shfaqet në publik në një moment të caktuar, Policia do të ndërmerr masa të parapara me legjislacionin në fuqi.

Unë me të vërtetë shpresoj si Ministër por edhe si qytetar i Kosovës, që një skenar i tillë të mos ketë ndodhur, për shkak se dëshiroj të besoj që Presidenti i vendit dhe deputeti i Kuvendit nuk do të bënin veprime të tilla që do të vinin në rrezik jo vetëm jetën e qytetarëve, por edhe rendin juridik të vendit.

Të ngjashme