Vlerësohet kontributi i profesoreshës Mandushe Berisha

Prishtinë | 17 Qer 2019 | 12:46 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Fakultetin Filologjik të Prishtinës është mbajtur mbledhje komemorative për profesoreshën, Mandushe Berisha, e cila u nda nga jeta para disa ditëve, raporton Ekonomia Online.

Rektori Universitetit të Prishtinës,  Marjan Dema, tha se profesoresha Mandushe Berisha do të shërbejë si frymëzim për dekada e shekuj me radhë.

Ai tha se kontributi i saj në UP ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucioneve tona duke qenë nga gratë e para që shërbeu si mësimdhënëse në UP dhe si gruaja e parë në gradën doktor shkencë duke thyer kështu tabutë.

“Ndonëse profesoreshë Mandushe u nda fizikisht nga kjo jetë figura si ajo dhe burri i saj janë të përjetshme dhe shërbejnë si frymëzim për dekada e shekuj me radhë. Ajo që pata fatin ta njohë dhe më shoqëroi në rrugën time, ishin pikërisht fjalët e saj që të bëj disa kthesa në jetën time për çka i jam mirënjohës për tërë jetën. Kontributi i saj në UP ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucioneve tona duke qenë nga gratë e para që shërbeu si mësimdhënëse në UP. Madje do figuroj si gruaja e parë në gradën doktor shkencë duke thyer kështu tabutë”, tha Dema, raporton EO.

Në emër të departamentit të kimisë, profesori Ismet Hashani, tha se Mandushe Berisha nuk diti të ndalet në punën e saj shkencore përkundër situatave të vështira politike të vitin 1981.

“Profesoresha nuk diti të ndalet në punën e saj shkencore përkundër situatave të vështira politike të vitin 1981. Kontributi i saj përshin 15 punime shkencore kombëtare e ndërkombëtare, 20 kumtesa e 5 projekte shkencore. Krahas punës pedagogjike ajo kontribuoi shumë në ngritjen e familjes duke lënë pas vetë 3 fëmijë”, tha ai.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, duke lavdëruar punën dhe veprën e profesoreshës Mandushe Berisha, tha se  ajo ishte lokomotivë e fuqishme për rininë.

Ai tha se Berisha ka lënë lënë shenja të pashlyeshme në shkencë dhe në njerëzi.

“Me shpirtin, punën dhe cilësinë ka lënë mbresat më të mira që një njeri i shkencës mund t’i lë. Mandushja ka lënë shenja të pashlyeshme në shkencë dhe në njerëzi. Do të ishte jo e sinqertë për të thënë se gjithmonë në të gjitha tubimet shkencore jashtë Kosove, ajo ka qenë gjithmonë me rezultatet e saj me të cilat jemi krenu si ekip dhe gjithmonë, mendonte më shumë për të gjithë të tjerët se për veten. Shpresoj që është krenari e të gjithë studentëve, profesorëve, që ajo me vendosmërinë e saj ishte një lokomotivë e fuqishme për rininë prandaj do ta kujtojmë me shumë respekt”, tha Daci, raporton EO.

Venera, vajza e profesoreshës Mandushe Berisha, falënderoi të pranishmit për praninë dhe përkrahjen që ia dhanë familjes.

Të ngjashme