Vrasja e Agonis Tetajt nga Deçani, babi i të ndjerit kërkon rigjykim

Prishtinë | 17 Mar 2021 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Në ditën kur parashihej t’i vinte fundi procesit të gjykimit të Shaban Gogajt lidhur me vrasjen e Agonis Tetajt, akuza e Prokurorisë ndryshoi.

Në fjalën përfundimtare në Gjykatën e Pejës, prokurori i rastit Agron Uka gjatë seancës së djeshme gjyqësore, rikualifikoi veprën penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia cila është më pak e dënueshme.

Lidhur me këtë babai i të ndjerit Agonis Tetaj, Isuf Tetaj iu është drejtuar me një letër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, kryesuesist të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Malokut, kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufit, Haxhi Dërgutit nga Prokruroia e Apelit si dhe ambasadorëve të huaj në Kosovë.

Tetaj përmes kësaj letre ku ka bashkangjitur edhe video incizimin ku shihet momenti i vrasjes së djalit të tij, shpreh shqetësimin e tij dhe frikën siç potencon ai për procesin e manipuluar lidhur me rastin e vrasjes së Agonis Tetaj në shtator të vitit 2018.

“Po ju shkruaj nga mllefi, shqetësimi dhe frika e prindit dhe familjarit të cilit ju ka vra djali dhe siç po shihet procesi është i manipuluar, ndikuar nga persona të korruptuar dhe i akuzuari nuk do të marr dënimin e merituar. Me gjithë shumë fjalët publike se drejtësia në Kosovë është e ndikuar, korruptuar dhe e pa drejtë unë kam shpresuar dhe besuar dhe kam pritur gjithnjë duke besuar se kjo lëndë do të shqyrtohet dhe dënohet në mënyrë meritore, mirëpo dje me dt. 16.03.2021 u konfirmua edhe me rastin e gjykimit për vrasjen e djalit tim se hallkat e gjyqësorit në Kosovë nuk janë të pa anshme ne këtë rast prokuroria më konkretisht personi z. Agron Uka. Agonisi djali im u vra në vendin e punës në ditën e diele nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar. Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z. Agron Uka, dje ne seancën gjyqësore në të cilën është thënë fjala përfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, shkruan Tetaj në letrën drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe ambasadave.

Ai kërkon nga udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë që të vendosin drejtësi për vrasjen e djalit të tij, Agonisit.

“I qetë dhe i heshtur i mllefosur dhe i vrarë në shpirt e kam përcjell këtë proces gjyqësor gjatë tërë kohës për më shumë se 2 vite me shpresën që do të vendoset drejtësia dhe siç po shihet kjo nuk do të ndodh. Nuk po kërkoj asgjë tjetër drejtësi, drejtësi dhe vetëm drejtësi gjykojeni për një çast djalin tuaj në vend të Agonisit tim i cili në një ditë të diele kur njerëzit normal pushojnë ishte duke punuar për ekzistencën e familjes dhe fëmijëve të tij dhe të vritet në këtë mënyrë në vendin e punës dhe vrasësi të mos marr dënimin e merituar. A thu po jetojmë në një vend ku kemi gjyqësi drejtësi dhe institucione demokratike apo duhet me kanun ti zgjidhim rastet”, shkruan më tej në letër Isuf Tetaj.

Ai ka kërkuar që të ndërpritet një aktgjykim i pa drejtë dhe jo meritot, të përjashtohet prokurori dhe trupi gjykues si dhe të bëhet ngritja e hetimeve dhe procedurës disiplinore ndaj prokurorit Agon Uka.

Tetaj më tej kërkon edhe rihapje të gjykimit me qëllim të vlerësimit meritor të provave dhe të vendoset gjykim i drejtë dhe meritor.

Sipas aktakuzës, së ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, e akuzon të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj, dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë, nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut, kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë, dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr dhe menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Blow TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme