‘Vullneti i të rinjve të Kosovës për pajtim bëri që projekti të jetë storje suksesi’

Prishtinë | 14 Kor 2022 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Askush nuk e ka pasur kurrë të lehtë t’i lërë pas kujtimet e dhimbshme dhe të ecë përpara. Nga të gjitha palët e përfshira në një konflikt të mëparshëm kërkohet forcë që të gjejnë guximin t’i mbyllin ato kapitujt dhe të ecin përpara.

Për këtë qëllim, në vitin 2019, me mbështetjen e BE-së në Kosovë, tri organizata me seli në Kosovë bashkuan forcat dhe lansuan projektin ‘Transformimi i perceptimeve të konfliktit përmes rritjes së përfshirjes qytetare dhe të komuniteteve në Kosovë’, në kuadër tëKoalicionit të Kosovës për Pajtim (KKP).

Hapja zyrtare e Koalicionit Zyrtar për Pajtim në 2019

Duke vlerësuar rrugëtimin e projektit, Kaltrina Shala – Menaxhere e Projektit, thotë se populli i Kosovës, me angazhimin dhe dëshirën për pajtim, është përgjegjësi kryesor që projekti u kthye në storje suksesi. Sipas saj, të gjitha komunitetet në Kosovë kanë shfaqur interesim të dukshëm dhe angazhim aktiv për pajtim dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët pavarësisht prejardhjes së tyre etnike dhe dallimeve kulturore.

“Pa angazhimin e drejtpërdrejtë dhe aktiv të popullit të Kosovës, veçanërisht të rinisë, as projekti dhe as procesi i pajtimit nuk do të kishin qenë të mundur. Gjatë këtyre viteve, kemi parë se të gjitha komunitetet kanë interes të mirëfilltë që përmes një sërë iniciativash të punojnë së bashku për ndërtimin e ardhmërisë së përbashkët.” – deklaron Shala.

Që procesi i pajtimit të jetë i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm, qasja e KKP-së ishte e orientuar në tri fusha kryesore: ballafaqimi me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, me fokus të veçantë tek rinia, gratë, kultura dhe edukimi. Projekti përfshiu më shumë se 60 aktivitete, nga festivale dhe shfaqjet teatrale dhe trajnuese, tek shkollat verore, praktikat, hulumtimet dhe publikimet.

Njëra nga pjesëmarrëset në Shfaqjen Forum Teatër “Rokada”, e cila u mbajt në Mitrovicën e Veriut, thotë se pjesëmarrja në shfaqje, ndër të tjera, e ka ndihmuar edhe që t’i luftojë paragjykimet. 

“Jo vetëm që e kuptova se aktroj mirë, por edhe si të mësoj për paragjykimet e mia përmes aktit të performancës. Mbi të gjitha, fakti që publiku po të shikon dhe ti përjeton njëkohësisht emocione të ndryshme, e bën Forum Theatre një eksperiencë unike!”

Përveç aktiviteteve të edukimit formal dhe joformal, artit dhe kulturore, të cilat e kanë treguar se janë një mënyrë e fuqishme për adresimin e konfliktit themelor etnik në shoqërinë kosovare, projekti siguroi edhe praktika për të rinj kosovarë. Praktikat shërbyen për rritjen e kapaciteteve të të paktën 35 studentëve të fakulteteve juridike, duke u ofruar një shans unik që të monitorojnë gjykimet e krimeve të luftës në Kosovë. Njëri prej tyre ishte Donat Sheremeti nga Prishtina.

“Mundësia të jem pjesë e projektit “Monitorimi i gjykimeve të krimeve të lidhura me konfliktin në Kosovë dhe përfshirja e rinisë në Sektorin e drejtësisë” ka qenë përvojë me shumë përfitime për zhvillimin tim profesional, pasi me këtë praktikë krijova kontakt të drejtpërdrejtë me pjesën që e njihja në teori, për të cilën më mungonte përvoja e mirëfilltë” – Donat Sheremeti

Aktivitete të tjera të spikatura të projektit janë publikimet që përveç hartëzimit dhe theksimit të deficiteve të rëndësishme, kanë paraqitur rekomandime për institucionet dhe palët e interesit në lidhje me paqen dhe qëndrueshmërinë afatgjatë në Kosovë.

Edhe pse projekti i financuar nga BE-ja e përfundoi rrugëtimin e vet tre vjeçar, gjurmët e mëdha që la duke bashkuar njerëz të etnive të ndryshme i hodhën themelet që projekti ta vazhdojë rrugëtimin e vet dhe të bëhet i qëndrueshëm.

Të ngjashme