VV-ja akuzon Shpend Ahmetin se po rrezikon jetën e nxënësve, e quajnë dembel dhe frikacak

Prishtinë | 13 Maj 2019 | 16:00 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me shembjen e dheut që ka ndodhur sot në lagjen e Muhaxherëve, afër shkollës fillore “Naim Frashëri”, raporton Ekonomia Online.

Ata fajin ia kanë hedhur kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili sipas tyre nuk po i ndalë ndërtimet e egra e që po lënë hapësirë për dyshim se këto ndërtime janë jashtë standardeve dhe po rrezikojnë jetën e qytetarëve.

“Sot, jemi në këtë vend ku paradite për shkak të rrëshqitjeve të dheut është rrezikuar jeta e një numri të qytetarëve të kësaj pjese, dhe nxënësve të cilët vijojnë mësimin në shkollën Naim Frashëri. Rrëshqitja e dheut ka ardhur si pasojë e punimeve që po zhvillohen në këtë objekt. Komuna e Prishtinës u mundua që fajin ta hedhë  te shpërthimi I një gypi të ujësjellësit. Kjo u demantua nga KRU-Prishtina të cilët pas analizës së marrë nga tereni konstatuan se, po citoj, “ekzekutimi i punëve në gropën ndërtimore të objektit poshtë rrugicës, është bërë në mënyrë joprofesionale, jashtë standardeve për ndërtim dhe mbrojtje të gropës ndërtimore”, tha ai.

“…Para disa ditësh vetë kryetari i komunës së Prishtinës deklaroi që nuk mund t’ia ndalë ndërtimet e egra, sepse ose e vrasin ose e funsin në burg, e ndërkohë në Prishtinë po vazhdojnë ndërtimet pa leje , e nuk po mbikëqyren ato me leje”, tha ai.

Arber Vokrri nga VV-ja tha se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, po rrezikon jetën e qytetarëve.

“Ky nuk është rasti i parë që po ndodh diçka e tillë. Para disa javësh në po të njëjtën lagje kemi pasur një rast të ngjashëm dhe poashtu për raste të tilla po raportohet edhe nga lagjet tjera. Lëvizja VETËVENDOSJE!, përmes reagimeve edhe në asamblenë komunale edhe me aktivitete të vazhdueshme kemi ngritur shqetësimin për degradimin e qeverisjes komunale në fushën e ndërtimeve, si për mënyrën si po lëshohen lejet ashtu edhe si po tolerohen ndërtimet pa leje”, tha ai.

Vokrri tha se në kuvendin komunal dhe me aktivitetet të ndryshme e kanë ngritur disa herë çështjen e degradimeve që po bëhen në nivel komunal.

“Përderisa rastet e fundit ku është rrezikuar jeta e qytetarëve nga ndërtimet kanë të bëjnë kryesisht me rrëshqitje të dheut, kjo lë hapësirë për dyshim që gjithë ndërtimet po zhvillohen jashtë standardeve dhe duke mos i respektuar lejet e dhëna, duke u bërë rrezik i vazhdueshëm për qytetarët”, tha ai, raporton EO.

Ai ka kërkuar dorëheqjen e Ahmetit në mënyrë që të shpëtohet jeta e tij  dhe qytetarëve.

Ai e ka quajtur Ahmetin frikacak dhe dembel.

“Deklaratat e Kryetarit të Komunës, ku si zakonisht mundohen t’ua hedhë fajin tjerëve, janë alibi për mospunën dhe dembelinë e tij dhe në asnjë rast nuk e arsyetojnë çkado që rrezikon qytetarët nga ky degradim i qeverisjes komunale. Ky kryetar dembel e frikacak, i cili thotë se i rrezikohet jeta e tij, po rrezikon jetëra e qytetarëve të Prishtinës. Që të shpëtojë jetën e tij dhe të qytetarëve, Shpend Ahemti ka një zgjidhje të lehtë: DORËHEQJEN!”.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/391706041419419/
Lexo më shumë:

Të ngjashme