Zgjedhjet në BIK: Imamët radikalë, vendimtarë për myftiun e ri

Prishtinë | 09 Jan 2018 | 14:02 | Nga

Në gjysmën e vitit 2018, BIK-u do të hyjë në procesin e zgjedhjes së myftiut të saj të ri, që mund të mos jetë më Naim Tërnava. Express-i merr vesh se ai do ta mbështesë zëdhënësin e tij, Ahmet Sadriu, derisa kundërkandidat do ta ketë kryeimamin Sabri Bajgora. Krejt gara do të zhvillohet se kush do t’i ketë në anën e tij imamët radikalë vahabistë
Është fundi i vitit 2017 dhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), po e mban konferencën “60 vjet të literaturës islame në gjuhën shqipe në Kosovë”. Dy personazhe që dikur dukeshin të pandashme, Myftiu dhe kryetari i kësaj Bashkësie, Naim Tërnava e kryeimami Sabri Bajgora, kujdesen që edhe në fotografinë e përbashkët të kësaj ngjarjeje të qëndrojnë sa më larg njëri-tjetrit. Afër Tërnavës tash rri zëdhënësi i kësaj bashkësie fetare, Ahmet Sadriu.

Nga mesi i këtij viti pritet të mbahen zgjedhjet për Kuvendin dhe myftiun e BIK-ut e lidhur me to burime të Express-it brenda kësaj Bashkësie kanë bërë me dije që tashmë taborët janë ndarë. Naim Tërnava nuk do të garojë për këtë post më, që do t’i binte të rizgjidhej për herën e katërt dhe duke i bërë kështu 20 vjet si prijës i myslimanëve në Kosovë, dhe për këtë ai po e mbështet Sadriun. Tabori tjetër është krijuar me mbështetës të kryeimamit Sabri Bajgora.

Në BIK nuk janë përgjigjur, deri tash, në asnjë nga pyetjet që Gazeta Express u ka drejtuar atyre.

Megjithatë, në këtë organizatë, në të cilën tashmë ka nisur gara, ajo vazhdon të përqendrohet sikurse në zgjedhjet e fundit për myfti, vendimtare do të jetë se: Kush do t’i ketë në krah imamët radikalë vahabistë, që me aktivitetet e tyre propagandistike në rrjete sociale, televizione e radio lokale, por edhe me aktivitete tjera në terren kanë mijëra pasues pas vetes.

Derisa Kryesia e BIK-ut e drejtuar nga myftiu Naim Tërnava, siç pati raportuar Gazeta Express, kishte dërguar një dokument shumë të rëndësishëm në Prokurori, duke u pozicionuar kundër ligjërimeve të ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, për ligjërime të ngjashme të imamëve Enes Goga, Mazllëm Mazllëmi e Idriz Bilibani. Sabri Bajgora u ka dalë në krah këtyre të fundit.

Kryesia e BIK-ut e drejtuar nga Tërnava kishte konstatuar se “gjuha e vrazhdë gjatë predikimeve fetare nuk përkon me frymën pozitive të Kushtetutës, rregulloreve dhe akteve tjera normative të BIK-ut”, derisa për ligjërime të ngjashme të imamëve Goga, Mazllëmi e Bilibani, kryeimami Sabri Bajgora deklaroi para gjyqit se “meqenëse në Kuran ekziston nja kaptinë e quajtur “mosbesimtarët”, rrjedhimisht si të tillë e llogarisim se nuk përbën gjuhë të urrejtjes ndaj askujt”.

Në kohën kur Bajgora edhe në shkrime autoriale flet me tone promovuese për xhihadin në kuptim të luftës dhe “vdekjes për kauzën e Allahut”, kundërkandidati i tij, Ahmet Sadriu, që ka pozitën e drejtorit në Drejtorinë për Shtyp dhe Media, apo luan rolin e zëdhënësit të BIK-ut, deri tash është prononcuar vetëm me qëndrime që kanë qenë plotësisht në vijën e myftiut Tërnava.

Kandidati i preferuar i myftiut Tërnava në një anë nuk njihet për diçka të veçantë, derisa kundërkandidati i tij për pozitën e myftiut të BIK-it në zgjedhjet e radhës në këtë bashkësi fetare, Sabri Bajgora njihet për qëndrimet pro xhihadit.

Në dhjetorin e viti 2015, ai në faqen e tij në internet publikoi një artikull të titulluar “Sprovat Hyjnore”. “Rruga deri te arritja e së vërtetës dhe e kuptimit të drejtë të misionit të njeriut në këtë jetë është e “shtruar” me durim dhe xhihad, është e stolisur anekënd me gjakun e shtrenjtë të dëshmorëve”, konstaton Bajgora.

“Nëse në durim ka jetë të shpirtrave, atëherë në flijim (rënie dëshmor – shehidllëk) ka jetë të plotë”, konstaton në po këtë shkrim kryeimami Bajgora dhe vazhdon, duke bërë thirrje për xhihad duke shkruar se “lufta për lartësimin e idealeve islame, për lartësimin e fjalës së Allahut, kërkon flijime, e dëshmorët që flijohen për këto ideale janë njerëzit më të dashur te Allahu. Të tillët kurrë nuk vdesin, por janë të gjallë”.

Thirrjet për zgjim të myslimanëve Bajgora i ka nisur qysh moti, para se edhe të ekzistonte ISIS-i si i tillë. Më 5 nëntor 2006 Bajgora shkroi edhe këtë poezi: “Zgjohu Ymet!”. Ai fillimisht përshkruan një dëshpërim, duke shkruar: “A do t’ketë më shpresë për Ne. Dielli më a do t’na ndriçojë. A thua kush prej këtij mjerimi, këtë Ymet do ta shpëtojë”, dhe pastaj vazhdon: “Zgjohu Ymet i Imanit, ngrite zërin në çdo anë. Ktheje lavdinë e Islamit, lësho kushtrimin anembanë”.
Sabri Bajgora ka një biografi në një faqe personale në internet, derisa për zëdhënësin e kësaj bashkësie, që sipas burimeve të Express-it do të jetë kundërkandidati i Bajgorës për postin e myftiut, nuk ka një publikim zyrtar për profilin e tij.

Ajo që dihet për Ahmet Sadriun është që ai është pjesë e BIK-ut për një kohë të gjatë, dhe ka shërbyer edhe si profesor në medresenë e mesme “Alaud-din” në Prishtinë, një shkollë e BIK-ut, e financuar edhe nga Ministria e Arsimit e Kosovës. Ai që nga viti 2013, kur Tërnava u zgjodh në mënyrë të kontestuar për të tretën herë myfti, është pjesë e Kryesisë së BIK-ut, ku përfaqëson rajonin e Anamoravës.

Ahmet Sadriu mbahet mend edhe që në këto zgjedhje, sa për t’u dukur garë, u bë kundërkandidat i Naim Tërnavës për postin e myftiut, por në atë garë Tërnava mori 53 vota, kurse Sadriu mori veç 5 vota.

Sabri Bajgora, në anën tjetër, në biografinë e tij shkruan që e mban postin e kryeimamit në BIK, që nga viti 1992 dhe në ndërkohë ka mbajtur edhe pozita tjera në institucionet BIK-ut, si sekretar në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI), kryetar i Shoqatës së Ulemave të Kosovës, kryeredaktor i revistës islamike, “Dituria Islame” dhe pozita të tjera.

Ai thotë që ka studiuar në Universitetin “El-Az’har” në Kajro, ku edhe në të njëjtin qytet deklaron se ka bërë master, në të ashtuquajturin në “Universitetin e Hapur Amerikan – Kajro”.

Por, si do t’i procedojë BIK-u zgjedhjet dhe a lënë këto procedura të brendshme të kësaj bashkësie, që në garë të hyjnë edhe individë të tjerë për të shtënë në dorë drejtimin e bashkësisë më të madhe fetare në vend dhe që ka buxhet milionësh?

Sipas burimeve të Express-it, procedura e zgjedhjeve nuk do të ndërrojë nga hera e fundit, ajo e vitit 2013 kur u rizgjodh për herën e tretë, pas ndryshimeve që i kishte bërë Kushtetutës së BIK-ut, duke ndryshuar nenin që kufizonte që një person mund të shërbente si myfti më së shumti në dy mandate.

Kështu, jo vetëm imamët apo të shkolluarit në shkollat fetare islame mund të jenë në pozita të zgjedhura në organet e BIK-ut. “Pjesëtari i Bashkësisë Islame, që ka mbushur 18 vjeç, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet dhe forumet e Bashkësisë Islame”, thuhet në Kushtetutën e BIK-ut, e cila parasheh që të gjitha zgjedhjet bëhen me vota të fshehta dhe në konkurrencë.

Sipas këtij dokumenti që aplikon BIK-u, zgjedhjet i shpall Kryesia e BIK-ut, organ ekuivalent me Qeverinë, që përbëhet prej 8 anëtarësh, dhe ky i nënti është kryetari që është edhe myftiu.

Kryesia menaxhon me buxhetin e BIK-ut, i cili sipas dokumenteve që posedon Express-i, për vit sillet mbi 6 milionë euro të hyra. Në këtë buxhet nuk përfshihen buxhetet e këshillave lokalë, që kanë secili buxhetin e tij.

Teknikisht zgjedhjet udhëhiqen nga një komision që formohet ad-hoc, derisa data e mbajtjes së tyre caktohet nga Kryesia e BIK-ut. Zgjedhjet shpallen më së paku tridhjetë ditë para skadimit të mandatit, derisa zgjedhjet duhet të mbahen jo më larg se një muaj nga dita e shpalljes së tyre.

Por, për të marrë të drejtën për të garuar për myfti një kandidat duhet të propozohet së paku nga pesë këshillat lokalë të BIK-ut, që pothuajse në çdo komunë në Kosovë ka një këshill, përjashto komunat me numër të vogël të banorëve.

Mandatet për këshilla lokalë janë 4-vjeçarë, derisa për Kuvendin, Kryesinë dhe Myftiun e Kosovës janë 5-vjeçarë.

Trupa elektorale të BIK-ut, e cila fillon me xhamitë, krijohet ashtu që çdo xhami cakton një përfaqësues dhe imamin. Përfaqësuesit tubohen në Kuvendin e Këshillit të BIK-ut. Procesverbali me detaje nga kush sa vota ka marrë dërgohet në Kryesinë e BIK-ut.

Në ditën kur do të votohet për myftiun, çdo kryetar i këshillit lokal mund të marrë edhe një delegat nga këshilli i tij, që po ashtu caktohet nga anëtarët e atij këshilli lokal me votën e shumicës, dhe përfaqësojnë atë njësi në zgjedhjen e organeve të reja, fillimisht të Kuvendit të BIK-ut, pastaj të Kryesisë së BIK-ut dhe në fund edhe të Myftiut. Të drejtë përfaqësimi me votë kanë edhe organet tjera të BIK, si Medreseja, apo FSI-ja.

Në zgjedhjet e fundit, myftiu Tërnava deri në momentet e fundit pritej që kishte një kundërkandidat të njëmendtë, Xhabir Hamiti, por zyrtarisht atij i doli kundërkandidat veç zëdhënësi i tij, Ahmet Sadriu.

“Me këtë proces, nuk ka pasur as zgjedhje fer e as zgjidhje të problemeve në BIK”, pati deklaruar Xhabir Hamiti pas rizgjedhjes së Tërnavës myfti për herën e tretë dhe, sipas tij, nuk ka pasur komision të pavarur në BIK që i vlerëson kandidatët për myfti të Kosovës, por ka pasur komision që është i emëruar, diktuar dhe mbikëqyrur nga vetë Tërnava, “prandaj procesi që nga fillimi ka qenë i manipuluar”, kishte deklaruar ish-kryetari i Kuvendit të BIK-ut.

Në vitin 2013, kandidatë të propozuar për myfti ishin edhe kryeimami Sabri Bajgora dhe Fahrush Rexhepi, të cilët gjatë seancës u patën tërhequr nga gara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme