Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbёrie Nagavci ka raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, raporton Ekonomia Online.
Tema për të cila u diskutua në këtë mbledhje kishin të bënin me të drejtat e vajzave që të shkojnë në shkollë me mbulesë si dhe çështja e personave të verbër dhe përfshirja e tyre në shkolla.
Nagavci ka thënë se është ballafaquar me sfida të shumta për shkak të vështirësive që ka shkaktuar në mësimnxënie pandemia.
“Nuk kemi ndonjë rast nga shkollat lidhur me atë që na keni thirr për të biseduar”, është shprehur ajo.
Kryetarja e Komisionit, Dude Balje ka thënë se problemi është shumë i qartë ngase mungon ligji për ndalesën ose lejimin e një vajzë me mbulesë në shkollë, duke shtuar se akoma vendoset siç duan në shkolla.
Balje ka kërkuar që këtyre vajzave t’u mundësohet të ndjekin mësimin dhe kjo sipas saj, duhet të specifikohet me udhëzim administrativ.
“Duhet të bisedojmë se a është shamia pjesë e uniformës shkollore. Ne duam që ta specifikojmë më ligj që asnjë vajzë mos me pas problem”, ka thënë ajo.
Ariana Musliu-Shoshi deputete e PDK-së, ka thënë se personalisht ka pranuar ankesa nga disa vajza që nuk janë lejuar të ndjekin mësimin, raporton EO.
“Sa raste i keni dhe në cilat nivele ka pyetur ajo, a do ta lejoni lëndën fetare në shkollat publike”, ka pyetur ajo.
Nagavci ka thënë se problemi që po e diskutojnë është mirë e definuar me Kushtetutë dhe nenet e saj, raporton EO.
“Për ne është e rëndësishme që secili fëmijë të vijoj mësimin në rregull. Për ne është e rëndësishme të krijojmë mjedise të sigurta ku të gjithë fëmijët të ndihen të barabartë. Në këtë mënyrë rekomandohet edhe bartja e uniformës”, ka thënë ajo.
“Nuk kemi të dhënë zyrtare që ndonjë fëmija i është mohuar e drejta për mësim”, shtoi ajo.
Musliu-Shoshi ka pyetur për masat që do të marrë ministria ndaj drejtorëve që u kanë mohuar të drejtën e mësimit vajzave dhe se a do të jetë Nagavci përkrahëse e këtyre vajzave.
Deputetja e VV-së, Fjolla Ujkani ka pyetur për hapat që do të merr ministria për zgjidhjet e këtij problemi.
“Çështja ka mbetur në diskecion të drejtorëve lokal nëse ata vendosin të lejojnë apo jo të ndalojnë vajzat me mbulesa në shkolla. Kjo ka një histori të gjatë andaj çka parashihni të ndërmerrni”, ka thënë Ujkani.
“Ndaj të njëjtin qëndrim me të gjithë ju, Kosova njihet si vend për tolerancë fetare. Jemi një shoqëri që po angazhohemi për barazi gjinore. Synimi është që secili fëmijë vajzë jo vetëm të shkoj në shkollë por edhe tu ofrohet siguri”.
“Rastet që i keni mund të i adresoni në nivel komunal dhe në mekanizmat e tjerë të cilët ju mund të i shfrytëzoni”, ka thënë ministrja Nagavci.
Përderisa Balje ka insistuar të di se a e përkrah apo jo Nagavci bartjen e shamive me shkolla.
“Nuk është çështje që mund të jap përgjigje shumë shpejt. Në asnjë moment nuk guxoj të lejoj që për çështje politike të mos ruajmë interesin e fëmijëve”.
Balje ka propozuar formimin e një grupi punues me anëtar nga ministria e Komisioni që të ndryshojnë udhëzimin administrativ që nuk lejon ose ndalon vijimin e mësimit të vajzave me mbulesë në shkolla.
“Të formohet një grup punues i komisionit dhe me pjesëtarë nga ministria e arsimit që të zgjidhet kjo çështje duke ndryshuar udhëzimin administrativ që deri sot secili drejtor ka marrë vendim si ka siç dihet lidhur me lejimin ose ndalimin e vajzave në shkolla”.
“Ne jemi gati prej nesër me punuar për këtë çështje që të konkretizohet kjo e mos të mbetet që vetëm kemi fol. Vajzat po presin, sot as kurrë ne nuk jemi kundër që vajzat të shkojnë në shkollë. Kemi shumë adresa që duan të japin kontribut për zgjidhjen e këtij problemi. Presim përgjigje nga ju ose tani ose me shkrim më vonë”, ka thënë Balje.
Kurse ministrja Nagavci ka thënë se udhëzimi administrativ ndalon bartjen e uniformës fetare dhe se ajo nuk është person kompetent të cilësojë nëse shamia është pjesë e uniformës ose jo.
“Thirrja ime është që asnjë fëmijë mos të mbetët pa shkuar në shkolla. Përmirësimi i gjendjes së vajzave bëhet duke i edukuar mirë ato. E kemi obligim si familja ashtu edhe institucionet që ato të edukohen ashtu siç thotë kushtetuta”, është shprehur ajo.
Ndërsa e pyetur nga Balje për temën tjetër, mundësimin e shkollimit të fëmijëve të verbër, Nagavci ka thënë se padyshim kjo është një temë në interes për ministrinë.